Komunarët e Fushë-Kosovës kanë heshtur të premten rreth arrestimeve që ndodhën gjatë ditës së enjte në këtë komunë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Policia e Kosovës ka arrestuar drejtorin për Planifikim Urban, A.Prebreza, dhe shefen në këtë drejtori, A.Sahiti, nën dyshimin se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare në dhënien e dy lejeve ndërtimore kompanisë “Naki Trade”. I arrestuar është edhe pronari i saj, M.Veliu, pasi dyshohet se ka tejkaluar lejet e komunës.
Zyrtarët komunalë nuk kanë kthyer asnjë përgjigje për këtë çështje gjatë ditës së premte. Ndërkohë zyrtarë të kompanisë në fjalë i kanë mohuar akuzat se kanë tejkaluar lejet ndërtimore dhe kanë thënë se M.Veliu është liruar.
“Jo more vëlla, veç rrena të shqiptarëve. E kanë marrë të pafajshëm, po e kanë lëshuar (M.Veliu v.j.). Po, po e kanë lëshua. O vëlla nuk ka kurrgjë, na krejt në rregull me letra me gjithçka në rregull është, me leje të ndërtimit, me krejt është”, ka thënë Naki Veliu nga kompania “Naki Trade”.