Futbollisti kosovar, pjesë e ekipit ideal të javës në Serie A

Prishtinë | 23 Gus 2022 | 13:55 | Nga Ekonomia Online

Xhiroja e dytë e Serie A u mbyll mbrëmë, ndërsa tash është koha për t’i bërë llogaritë.

Portali i njohur i futbollit “Goal.com”, si çdo javë, e ka publikuar formacionin e javës në kampionatin italian, përcjell “Gazeta Express”.

Dhe, pjesë e ekipit ideal të xhiros së dytë të Serie A është edhe një futbollist shqiptar.

Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin nga Kosova, Ardian Ismajli, i cili bëri paraqitje bravuroze për Empolin, duke ia mohuar golin Fiorentinës në fundjavë, në ndeshjen që përfundoi 0:0.

 “Empoli arriti ta përballojë sulmin total të Fiorentinës edhe falë murit të ngritur nga mbrojtja e tij. Në mesin e të shumtëve bie në sy performanca e Ismajlit, i cili i lejoi shumë pak hapësira Jovicit dhe më pas e mbajti peshën kryesore të repartit kur bashkëlojtari i tij, Luperto, u përjashtua me karton të kuq në minutën e 66-të. Në 99 minuta lojë, shqiptari ishte providencial, edhe kur largoi një goditje nga Duncan me portën e pambrojtur”, e ka përshkruar “Goal.com” paraqitjen e përfaqësuesit shqiptar.

Krahas Ismajlit, me sukses në Serie A po luajnë edhe futbollistët tjerë kosovarë, Amir Rrahmani me Napolin dhe Mërgim Vojvoda me Torinon. 

Të ngjashme