Rastet e vdekjes së futbollistëve në fushën e lojës janë gjithnjë e më të shpeshta dhe kjo është shqetësuese. Shumica prej tyreve kanë ndodhur për shkak se ata kanë përjetuar sulm në zemër, ndërsa së fundi një futbollist ka vdekur pas një dueli në ajër me rivalin e tij.
Futbollisti i Gabonit, Hernan Tsinga ka vdekur gjatë një ndeshjeje të kampionatit të këtij vendi.Ai ishte anëtar i skuadrës Akanda, e cila po luante ndeshjen si mysafire tek Missile, ndërsa pas një dueli në ajër, ka mbetur i shtrirë në tokë.
Makina e ndihmës së shpejtë është afruar menjëherë, por fatkeqësisht ajo nuk ka qenë e pajisur me mjete adekuate.
Në vendin e ngjarjes ka qëlluar edhe një mjek ushtarak, i cili ka bërë përpjekje ta shpëtojë jetën e Tsingas, por nuk ka pasur sukses, shkruan gazetari afrikan i futbollit, Collins Okinyo në twitter, përcjellë Klan Kosova.
Ai është futbollisti i shtatë në Gabon që vdes në fushën e lojës në 12 vjetët e fundit.
Pamjet janë siguruar nga një tifoz i cili ishte duke shikuar ndeshjen.