Edhe njerëzit e suksesshëm bëjnë gabime në menaxhimin e kohës.
Shmangni gabimet e mëposhtme të cilat bëhen edhe nga disa prej sipërmarrësve më të suksesshëm në botë dhe mësoni si të menaxhoni në mënyrën më të mirë të mundshme kohën tuaj, njëkohësisht duke i kursyer vetes një dhimbje koke të panevojshme.
Mohojnë se kanë probleme me menaxhimin e kohës – Të ankuarit në vazhdimësi për mungesën e kohës, nuk do të thotë që koha do t’ju shtohet automatikisht. Një gjë e tillë mund t’ju bëjë që të ndiheni mirë për momentin por vetëm kaq, sepse në fund nuk do të zgjidhë asgjë. Të ankuarit në vazhdimësi për mungesën e kohës ju kufizon nga të përballurit me realitetin. Ndaloni së thëni se nuk keni kohë dhe në vend të kësaj pranojeni se keni probleme me menaxhimin e duhur të kohës dhe përpiquni ta përmirësoni atë.
Neglizhojnë të planifikojnë ditën e tyre – Është shumë e rëndësishme që ju të planifikoni ditën tuaj që në mëngjes nëse doni të keni një produktivitet sa më të lartë. Nuk keni pse të bëni një planifikim të detajuar, por përpiquni që të planifikoni projektet tuaja më të rëndësishme.
Mbivendosje projektesh – Dallimi ndërmjet “urgjentes” dhe “të rëndësishmes” është një prej sfidave më të mëdha të një numri të lartë sipërmarrësish të suksesshëm.
Skema e njohur Eisenhower Matrix do t’ju vijë shumë në ndihmë. Kjo skemë përbëhet nga katër kuadrate që përbëjnë secili një kategori më vete:
-Projekte prioritare
-Për t’u planifikuar më vonë
-Për t’u deleguar
-Edhe mund të mos bëhen
Do ta shikoni që në fund të ditës apo të javës ju do të keni avancuar shumë sidomos me ato projekte të cilat ju duhet t’i përfundoni në një kohë të caktuar.
Delegim jo i duhur – Një prej gabimeve më të mëdha të sipërmarrësve më të suksesshëm është se ata e konsiderojnë veten të aftë për të bërë gjithçka dhe se marrin vesh nga gjithçka.
Por jo, ky është thjesht një pretendim i tyre. Nëse doni që në kompaninë tuaj të keni rendiment të lartë atëherë ju duhet të mësoni të delegoni në mënyrën më të mirë të mundshme detyrat tek stafi juaj i punonjësve.
Të ngrihen herët në mëngjes – Edhe ky është një gabim që ndodh tek shumë persona kur bëhet fjalë për menaxhimin e kohës, qoftë të suksesshëm apo jo Nëse ju ngriheni herët në mëngjes nuk do të thotë që ju do të keni më shumë kohë në dispozicion, sepse ndoshta në mëngjes ju mund ta keni shumë të vështirë për t’u përqendruar, dhe në vend që të fitoni kohë, rrini jo vetëm pa gjumë, por edhe i merrni kohë ditës suaj sepse nuk mund të përqendroheni dot. Prandaj zgjimi në mëngjes herët nuk vlen për të gjithë në mirë-menaxhimin e kohës.
Të jenë fleksibil – Sado mirë ta keni planifikuar ditën, do të ketë patjetër një moment gjatë të cilit ju do të ndërpriteni. Prandaj këshillohet që ju të tregoheni sa më fleksibil të jetë e mundur.
Të jenë “perfektë” – Askush nuk është perfekt dhe askush nuk mund të jetë, por jo të gjithë e mendojnë kështu. Zakonisht një pjesë e madhe sipërmarrësish ngaqë mundohen të arrijnë përsosmërinë në gjithçka, ushtrojnë një trysni jashtë mase të lartë edhe tek punonjësit e tyre në mënyrë që gjërat të realizohen ashtu siç ata duan.
Të punojnë pa pushim – Janë të shumtë sipërmarrësit që krenohen me faktin që kalojnë një pjesë të madhe të kohës së tyre në punë. Elon Musk është një prej sipërmarrësve më të suksesshëm të momentit, java e punës e së cilit përbëhet nga 80 orë. Por një gjë e tillë nuk këshillohet aspak, sepse ndikon në mënyrën më të keqe të mundshme tek shëndeti juaj.