Shqipëria u paraqit keq në miqësoren ndaj Norvegjisë në kuadër të përgatitjeve për sfidat në Ligën e Kombeve që do të startojnë në shtator.
Zgjedhjet e trajnerit Panuçi për këtë takim, ishin disa të kushtëzuara nga dëmtimet dhe të tjera, si përzgjedhje e vetë teknikut, shkruan Panorama.
Mirëpo, nga sa u vu re në listën e të grumbulluarve, trajneri Panuçi la jashtë një formacion të plotë nga porta në sulm, i cili për nga përbërja është vërtet sulmues.
DËMTIMET – Në listën e mungesave pati disa lojtarë që nuk ishin të gatshëm për Kombëtaren për shkak dëmtimesh. Frederik Veseli dhe Burim Kukeli ishin dy mungesa të tilla. I pari, për një tërheqje muskulore që ka pësuar një javë më parë, ndërkohë që i dyti për shkak të një dëmtimi në gju që e ka lënë jashtë fushës për gati një muaj.
Një tjetër i dëmtuar ishte edhe Amir Abrashi, të cilit i duhet një ndërhyrje kirurgjikale në gju, për shkak të këputjes së ligamentit. Një tjetër mungesë e diktuar në këtë listë ishte ajo e mesfushorit të Beneventos, Ledian Memushaj, i cili u ndëshkua me karton të kuq në miqësoren me Turqinë.
ZGJEDHJET – Trajneri i Kombëtares ka të drejtën ekskluzive të përpilimit të listës së Kombëtares në grumbullim, mirëpo është e dyta herë që trajneri shmangu kapitenin. Ansi Agolli u la jashtë, në një sezon ku ai ka marrë pjesë në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, në të cilin Karabak ia doli që të merrte dy barazime ndaj Atletikos së Madridit.
Formacioni
Për të plotësuar formacionin e të munguarve është e thjeshtë sepse Panuçi la jashtë edhe Ivan Balliun, mbrojtësin e djathtë të Metz në Francë. Në repartin e mesit të fushës një tjetër mungesë pa shumë arsye ishte ajo e Bashës. Mesfushori i graduar si kapiten te Bari është një nga pikat e referimit për këtë ekip në tentativën për t’u ngjitur në Serinë A.
Ergys Kaçe u la gjithashtu jashtë, kur ndodhet në një periudhë që sapo ka ndryshuar skuadër dhe ka bërë mirë me Panathinaikosin, por Panuçi nuk i bëri ftesë. Më tej, Jahmir Hyka gjithashtu nuk mori një ftesë nga Kombëtarja e Panuçi, ashtu si edhe Azdren Llullaku dhe Hysen Memolla. Ky i fundit ishte një prej risive të trajnerit që në ndeshjet e tij të para në krye të kuqezinjve. I thërritur në Turqi, për disa seanca stërvitore, edhe Selmani mund të konsiderohet i lënë jashtë, edhe pse para Norvegjisë ishte i dëmtuar.