Gabimi më i madh në një letër motivimi

Prishtinë | 04 Sht 2024 | 05:10 | Nga Ekonomia Online

Gabimi më i madh në një letër motivimi është rëndësia që i kushtohet asaj. Zakonisht punëkërkuesit krijojnë një CV në të cilën thjesht përmendin arritjet e tyre në karrierë dhe e dërgojnë atë tek të gjitha punët ku kanë aplikuar. Më pas letrën e motivimit e shfrytëzojnë që të bëjnë përshtatjen me punëdhënës të ndryshëm. Në letrën e motivimit shkruhen gjëra më specifike për arritjet, si mund të përshtaten aftësitë me pozicionin në fjalë dhe shprehet dëshira për të punuar specifikisht me atë kompani.

Letrat e motivimit kanë më shumë kuptim kur dërgohen me email dhe kur i drejtohen menaxherit të punësimit. Në ditët e sotme, për një pozicion pune mund të bëhen 100 aplikime, kështu që rekrutuesit e kanë të pamundur që brenda një kohe të caktuar të lexojnë 100 letra motivimi.

Nëse CV-ja juaj përmban fjalët e duhura, rekrutuesi vetëm me anë të një shikimi arrin të kuptojë aftësitë dhe eksperiencat që ai realisht po kërkon. Më pas ajo CV listohet si një nga CV-të kandidatët e të cilave do të telefonohen për intervistë.

Pra çështja është se:

  • Nëse personi i ka aftësitë e duhura dhe CV-ja duket në rregull, atëherë pse duhet të shqetësohemi për të lexuar letrën e motivimit. Mund ta telefonojmë kandidatin për një intervistë.
  • Nëse ata nuk i kanë aftësitë e duhura dhe CV-ja nuk duket e përshtashme për këtë rol, atëherë pse duhet ta lexojmë letrën e motivimit. Ai aplikant nuk duhet të pranohet.

Dhe ky është paradoksi i një letre motivimi. Nëse do të shkruani një letër të tillë, ajo duhet të përmbajë informacione më të zhvilluara se CV-ja përndryshe, nëse informacioni i shkruar do të ishte i njëjtë, ç’kuptim do të kishte shkrimi i letrës së motivimit.

Nëse mendoni se është më mirë të mos e dërgoni fare një letër motivimi, ky është gabimi i dytë. Mund të dukeni si dembel dhe kjo i zvogëlon mundësitë për të fituar pozicionin e punës. Kështu pra duhet të shkruani një letër motivimi dhe duhet që ajo të jetë e mirë-organizuar, por gjithsesi kushtojini më shumë rëndësi CV-së. Ajo duhet të përfshijë gjërat më të rëndësishme.

Të ngjashme