Amendamentimi i Ligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës është ndryshuar gjatë procedimit për në Kuvend, ndonëse në Qeveri ai ishte dorëzuar me tjetër përmbajtje.
Kësisoj është hequr nga përmbajtja e tij neni 11, i cili rregullon problemet e negocimit të institucionit lokal (Komunës) me investitorët për këmbimin e pronës komunale, shkruan sot “Koha Ditore”. Në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal një veprim të tillë e kanë cilësuar “gabim të paqëllimshëm” të zyrtarit kompetent.
Një nen i tillë ia jepte të drejtën kryetarit të Komunës të negociojë me investitorët për këmbimin e pronës komunale. Por nuk e lejon që të marrë vendim për dhënien në këmbim të asaj prone, sepse një vendim të këtillë mund ta sjellë vetëm Kuvendi Komunal. Por ky nen është fshirë nga drafti që i është dërguar Kuvendit nga Qeveria.
Në lidhje me këtë ka reaguar Asociacioni i Komunave të Kosovës, ndërkohë që “KOHA Ditore” ka mësuar se neni është fshirë nga një zyrtar i lartë i Ministrisë së Pushtetit Lokal.
Sazan Ibrahimi, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), ka thënë se ata e kanë vërejtur që në projektligjin final, i cili është proceduar për Parlamentin e Republikës së Kosovës, është hequr neni 11, i cili ka qenë në draftin final që është miratuar nga grupi punues për hartimin e këtij ligji.