I uzurpuan pronën në Prizren dhe e kanosën, dështon gjykimi

Prishtinë | 06 Jan 2022 | 14:52 | Nga Ekonomia Online

Mungesa e të akuzuarit K.K, dëshmitarit G.K, ka bërë që të dështoj seanca gjyqësore e të enjtes në Gjykatën Themelore në Prizren, ndaj shtatë të akuzuarve për uzurpim të paligjshëm të pronës, kanosje dhe dëmtim të pasurisë.

Lidhur me mungesën të akuzuarit Krasniqi, mbrojtësi i tij avokat Gent Gjini, tha se i mbrojturi i tij, munk mund të prezantoj për shkaqe shëndetësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa lidhur me mungesën e dëshmitarit, avokati Pjetër Përgjoka, tha se i njëjti për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij nuk mund të prezantoj.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e së enjtes u shty, ndërsa seancat e radhës janë caktuar më 24 janar 2022 në ora 13:15, 09 dhe 10 shkurt 2022, në ora 09:30.

Ndryshe Prokuroria Themelore në Prizren më datë 03.10.2021 ka ngritur aktakuzë 7 të akuzuarve për disa vepra penale të ndryshme.

Sipas dispozitivit 1 të aktakuzës të akuzuarit Rr.K, K.K, R.K, S.K, G.K, A.K dhe K.K nga data 24.06.2019 e në vazhdimësi, në Prizren, saktësisht në rr. “Liman Shala”, në lagjen “Bajram Curri”, në vendin e quajtur “Buzagilak”, me dashje uzurpojnë pronën e paluajtshme të personit tjetër, e cila evidentohet në ngastrën kadastrale nr.06856-1 ZK Prizren, në sipërfaqe të përgjithshme në sipërfaqe prej 7790 m², në atë mënyrë që edhe pse të dyshuarit janë dëbuar prej pronës së paluajtshme me vendim të gjykatës – urdhrin përmbarimor të përmbaruesit privat, përkundër largimit nga kjo pronë dhe dorëzimit të pronës blerësit legjitim – të dëmtuarit E.K, si dhe ndalesës që kishin në procesverbalin e përmbaruesit privat të datës 18.07.2019, me të cilin procesverbal iu është bërë e ditur që mos të kenë qasje në pronën në fjalë, të pandehurit vendosin shtylla dhe bëjnë rrethimin e një pjesë të ngastrës me rrjetë, në dy pjesë prej të cilës është bërë nivelizimi me zhavorr, kurse njërës prej tyre i është vendosur edhe betoni, po ashtu kanë shkarkuar edhe një sasi të tullave të betonit, të gjitha këto veprime me qëllim të përvetësimit në mënyrë të kundërligjshme të pronës së paluajtshme, me ç’ rast të dëmtuarit E.K i shkaktojnë dëm material.

Me këto veprime në bashkëkryerje kryejnë veprën penale: uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme, nga neni 320 par. 3 lidhur me par. 1, nenin 31, dhe nenin 77, i Kodit nr. 06/L-074 Penal të Kosovës (KPRK).

Ndërsa sipas dispozitivit 2 të Aktakuzës, i akuzuari A.K me datë 24.06.2019 rreth orës 10:00 në Prizren, saktësisht në rr. “Liman Shala”, pas një fjalosje paraprake që kishte me të dëmtuarin rreth pronës të përshkruar në pikën I të dispoztivit i niejti fillimisht kishte tentuar ta sulmonte të dëmtuarin, mirëpo pasi që i dëmzuari ishte larguar, i dyshuari në shenjë revolte bënë të papërdorshme pasurinë e personit tjetër, duke goditur me grusht xhamin e përparmë të automjetit të markës gols IV, pronë e të dëmtuarit, të cilën e thyen, me ç’ rast të dëmtuarit i shkakton dëm material.

Më këtë ka kryer veprën penale “ Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë nga neni 321 par 1 të KPRK.

Ndërsa sipas pikës 3 të dispozitivit të akuzuarit A.K, K.K dhe Rr.K me datë 24.06.2019, në periudhën kohore nga ora 10:00 – 19:00 në Prizren, në kohën kur përmbaruesi Privat kishte dal në ekzekutim të vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës Themelore në Prizren, për lirimin e pronës nga uzurpimi, të pandehurit A.K, K.K dhe Rr.K, seriozisht kanosin të dëmtuarit E.K dhe A.A, me fjalë se to t’i privojnë nga jeta, në atë mënyrë që, i pandehuri Rr. të dëmtuarve A.A dhe E.K iu drejtohet me fjalët “Do të shkojnë dy koka këtu nëse hyn dikush në këtë ngastër” duke aluduar në të dëmtuarit, ndërkaq i pandehuri Artan Krasniqi, të dëmtuarit E.K i kishte thënë: “pse e ke blere këtë tokë, kemi me të vra, pse e ke blerë pronën”, më pas i pandehuri K.K, të dëmtuarit i kishte thënë: “ne jemi tridhjetë mashqi dhe ti nuk ke me gëzuar këtë pronë derisa unë të jem gjallë “, i njëjtë përmes mikut të dëmtuarit S.K i kishte dërguar porosinë se: “të tërhiqet nga kjo pronë të cilën e ka blerë, nëse nuk tërhiqet ata janë tridhjetë mashqi dhe E. do ta pësoj me jetë”, i pandehuri Rr.K së bashku me A.K, kishin shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit E.K, duke i kërkuar të njëjtit që të tërhiqet nga prona të cilën e kishte blerë, veprime këto me të cilat tek të dëmtuarit kanë shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë.

Me këtë secili veç e veç kryejnë veprën penale Kanosja nga neni 181 paragrafi 2 i KPRK- së /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme