Gabriel: Vërehen dallime të qarta mes ShBA-së dhe Gjermanisë

Prishtinë | 07 Kor 2017 | 08:47 | Nga

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel kanë mbajtur një takim më 6 korrik në Hamburg, para fillimit të samitit G20, që nis sot.

Pas takimit në mes të presidentit Trump dhe kancelares Merkel, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, ka thënë se ka “dallime të qarta” në qëndrimet e këtyre dy vendeve për çështjet rreth ndryshimeve klimatike dhe ato të tregtisë, mirëpo janë vërejtur edhe “disa pika të përbashkta”.

“Shtrohet pyetja nëse amerikanët vazhdojnë të jenë të bindur se gjëja e vetme që vlen në tregun global, është nëse Amerika është fituese apo jo”, i ka thënë Gabriel, televizionit publik, ARD, transmeton REL.

“A mundemi ne t’i bindim amerikanët, se nëse secili shtet aplikon rregullat e njejta, atëherë kjo do të jetë zgjidhja më e mirë”, ka shtuar ai.

Liderët e samitit G20 kanë bërë premtime për të luftuar proteksionizmin, mirëpo politikat tregtare të Trumpit “America First”, kanë bllokuar një marrëveshje eventuale në mes të liderëve botërorë rreth globalizimit dhe çështjeve tregtare prej kur Trump udhëheq SHBA-në.

Po ashtu është komentuar, si vështirë e arritshme edhe ndonjë marrëveshje rreth çështjes së klimës, pas vendimit të Trumpit për të larguar ShBA-në nga Marrëveshja për Klimën e vitit 2015.

Merkel dhe Trump kanë diskutuar edhe për Korenë Veriore, Lindjen e Mesme dhe konfiktin në lindje të Ukrainës, kanë thënë zyrtarët amerikanë dhe gjermanë pa dhënë komente te tjera.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel dhe Sekretari i Shtetit në SHBA, Rex Tillerson kanë qenë pjesë e takimit.

Trump po ashtu është takuar edhe me presidentin e Koresë Jugore, Moon Jae-in dhe kryeministrin japonez, Shinzo Abe, për të diskutuar rreth lansimit të një rakete balistike interkontinentale nga Koreja e Veriut gjatë kësaj jave.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se takimi i shumëpritur mes presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin do të mbahet gjatë ditës së sotme, pas përfundimit të sesionit të parë të samitit.

Të ngjashme