Është kohë regjistrimesh në shkollat e mesme, kurse Nazim Gagica, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Gjilan ka apeluar të nxënësit që sapo kanë përfunduar semimaturën që të orientohen në drejtimet profesionale.
Ai ka prezantuar të arriturat, rezultatet e sfidat me të cilat po përballet kjo drejtori. Gagica këtë vit e ka cilësuar si vit të suksesit. Ai tha se ka rritje të notës mesatare në nivelin e mesëm të ultë dhe atë të lartë. Ka rënie të dukurive negative, është hapur konkursi për semimaturant.
“Orientohuni në shkollat profesionale, ngase ajo është e vetmja mundësi e ekuilibrimit të kërkesës së arsimit me ofertën dhe tregun e punës”, ka thënë Gagica, që ka shtuar se viteve të fundit ka rënie të numrit të nxënësve në këto shkolla.
“Gjilani është sa i përket arsimit është bërë pikë referente edhe për komunat e tjera, është bërë model për komunat e Kosovës në disa projekte, si ajo e qasjes në disa mësimdhëns që po del të jetë efektive”, shtoi ai.
Ai ka prezantuar shumë projekte të realizuara si shkolla në Haxhaj, sigurimi i shujtave ditore që ishte premtim i kryetarit Haziri, furnizimi me inventar, dhënia e bursave, furnizimi me fotokopje e printer, me kamera, donacione të ndryshme nga organizata vendore e ndërkombëtare, hapja e qendrave mediale, vijueshmëria e mësimdhënësve nëpërmjet kartelave, tabelat e mençura që u vendosën në dhjetë shkolla e të arritura të tjera.
Ai tha se 20 universitete e kolegje prezantuan projektet e tyre të dijes, pati olimpiada e gara me nxënës, ku nxënësit tanë dolën me suksese të mira dhe Gjilani ka identitetin e qytetit të matematikës dhe shumë të arritura të tjera. Ai tha se do të investohet edhe nëpër disa shkolla në komunën e Gjilanit dhe do të ndërtohet një shkollë e re te tregu i gjelbër.
Drejtori i Arsimit Nazim Gagica, ka përmenduar edhe shumë të arritura të tjera dhe proejkte të reja që kanë nisur së realizuari. Ndër sfidat ka përmendur, një problem të madh, rënia e numrit të nxënësve, që për këto 5 vite janë 5219 nxënës më pak që po ndikojnë edhe normat e mësimdhënësve.
“Do të ketë fuzionime të paraleleve të ndara dhe kthimi i Shkollës “Thimi Mitko” në dy ndërrimePo ashtu, do të bëhet analizimi i konkurseve, ngase duhet ekuilibruar gjendjen aktuale”, theksoi Gagica në fundë konferencës për gazetarë.