Trajneri i Paris Saint-Germain, Christophe Galtier ka zhvilluar një takim me Kylian Mbappe dhe Neymar pas polemikës që ndezi në fitoren 5-2 të ekipit të tyre ndaj Montpellier fundjavën e kaluar.
PSG mori dy penallti në atë ndeshje. Mbappe e mori përgjegjësinë për të parën dhe e humbi, transmeton Gazeta Express.
Më pas, Neymar mori të dytin dhe e shndërroi në gol, edhe pse Mbappe tentoi t’ia merrte topin shokut të skuadrës.
Klubi donte të gjente një zgjidhje të shpejtë për diçka që mund të bëhej problem dhe pas takimit të Galtier me dy yjet, u vendos që Mbappe të ishte goditësi i parë i penalltive.
Neymar do të marrë përgjegjësinë në rast se do të ketë një të dytë në të njëjtën lojë, pasi braziliani konsiderohet një nga gjuajtësit më të mirë të penalltive në Evropë.