Gana ia konfirmon AFP-së: Kemi tërhequr njohjen “e nxituar” të pavarësisë së Kosovës

Prishtinë | 12 Nën 2019 | 16:53 | Nga Ekonomia Online

“Vendimi për njohjen e Kosovës doli të ishte i nxituar” – ky është arsyetimi që ministria e jashtme e Ganës e ka dhënë për tërheqjen e njohjes së Kosovës.

Kjo është konfirmuar nga Gana për agjencinë e lajmeve franceze, AFP ku thuhet se: “Gana e ka tërhequr njohjen e nxituar të pavarësisë së Kosovës”, shkruan lajmi.net.

“Gana e ka marrë parasysh dialogun mes Serbisë dhe Kosovës që ka për qëllim zgjidhjen e çështjes së kërkesës së kësaj të fundit për t’u njohur si entitet i pavarur dhe sovran dhe mbështet procesin që po vazhdon për t’i dhënë fund çështjes”, thuhet më tutje në arsyetim.

Ky njoftim mund të pengojë vazhdimin e dialogut mes dy vendeve, i cili është ngrirë për më shumë se një vit.

Deklarata e ministrisë ganeze thotë se pavarësia e shpallur njëanshëm e Kosovës ishte “në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit”, referencë kjo për rezolutën e vitit 1999 që e vuri vendin nën protektorat ndërkombëtar.

Rezoluta i dha Kosovës “autonomi substanciale” brenda Jugosllavisë, pjesë e së cilës asokohe ishte Serbia, dhe nuk përmend pavarësinë e plotë.

Ministria e jashtme serbe përmes një deklarate vlerësoi “vendimin e rëndësishëm” të Ganës dhe tha se është bërë “vendi i 16… anëtar i OKB-së që ka tërhequr njohjen e Kosovës”.

Në anën tjetër përmes një komunikate për media, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës hedh poshtë pretendimet e Serbisë, dhe kërkon që propaganda e Beogradit të mos prezantohet si lajm në media, shkruan lajmi.net.

MPJ thotë se Kosova është njohur nga 116 vende anëtare të OKB-së, përfshirë edhe Ganën.

Të ngjashme