Agjencia franceze e lajmeve AFP ka thënë se Gana e ka tërhequr njohjen “e nxituar” të pavarësisë së Kosovës – veprim ky i përkrahur nga Serbia e cila e kundërshton shtetësinë e ish-provincës së saj.
“Qeveria e Ganës ka vendosur që të tërheq njohjen e Kosovës si shtet të pavarur”, ka thënë të martën për AFP-në zëvendësministri i Jashtëm i këtij vendit, Charles Owiredu.
Ai tha se arsyet për këtë vendim i janë komunikuar Serbisë në një letër.
“Vendimi për njohjen e Kosovës doli të ishte i nxituar”, shkruan në letër në lidhje me njohjen e ndodhur më 2012.
“Gana e ka marrë parasysh dialogun mes Serbisë dhe Kosovës që ka për qëllim zgjidhjen e çështjes së kërkesës së kësaj të fundit për t’u njohur si entitet i pavarur dhe sovran dhe mbështet procesin që po vazhdon për t’i dhënë fund çështjes”, thuhet më tej në letër, transmeton Koha.net.
Ky njoftim mund të pengojë vazhdimin e dialogut mes dy vendeve, i cili është ngrirë për më shumë se një vit.
Deklarata e ministrisë ganeze thotë se pavarësia e shpallur njëanshëm e Kosovës ishte “në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit”, referencë kjo për rezolutën e vitit 1999 që e vuri vendin nën protektorat ndërkombëtar.
Rezoluta i dha Kosovës “autonomi substanciale” brenda Jugosllavisë, pjesë e së cilës asokohe ishte Serbia, dhe nuk përmend pavarësinë e plotë.
Ministria e jashtme serbe përmes një deklarate vlerësoi “vendimin e rëndësishëm” të Ganës dhe tha se është bërë “vendi i 16… anëtar i OKB-së që ka tërhequr njohjen e Kosovës”.
Ndërkaq, ministria e Jashtme e Kosovës e ka quajtur këtë “vazhdim të një fushate të ndyrë” nga ana e Serbisë.