Katërmbëdhjetë policë janë vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi të organizuar nga gangsterët e drogës në pjesën perëndimore të Meksikës.
Policia ishte duke e zbatuar një urdhër të gjykatës në El Aguaje të rajonit Michoacan, kur konvoji i tyre u sulmua papritmas.
Një grup i fuqishëm kriminal, i njohur me emrin “Karteli Jalisco Nueva Generacion”, besohet se është përgjegjës për kryerjen e këtij sulmi kundër forcave të sigurisë.
Autoritetet thanë se do t’i shfrytëzojnë të gjitha burimet për t’i gjetur personat përgjegjës. Ky rajon është i njohur për dhunë mes grupeve kriminale të drogës.
Presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, është përpjekur ta luftojë krimin e lidhur me drogën prej ardhjes në pushtet në dhjetor të vitit të kaluar.
Raportohet se konvoji i policisë u rrethua nga persona të armatosur rëndë, të cilët erdhën me disa vetura. Ata i qëlluan policët me breshëri plumbash dhe më pas ua vunë flakën veturave të tyre.
Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për ta luftuar krimin dhe trafikimin e drogës, vitin e kaluar u shënua rekord prej 29 mijë vrasjesh në tërë vendin, shkruan “BBC”.