Gani Dreshaj, kandidat për deputet nga koalicioni AAK-PSD, ka kërkuar rinumërim të të gjitha kutive të votimit nga ana e KQZ-së.
Dreshaj ka hedhur dyshime në “dallavere” në listat e kandidatëve për deputet se kush të hyjë në kuvend. Ai është shprehur se komisionerët mund të jenë të përfshirë në këto manipulime të mundshme.
Kreu i kësaj partie Ramush Haradinaj në një konferencë për media pas zgjedhjeve kishte thënë se partia që ai udhëheqë nuk do të kërkoj rinumërim të votave dhe se e pranojnë rezultatin preliminar të shpallur nga KQZ-ja.
Më poshtë është postimi i plotë i Dreshaj në Facebook
“Plot kandidatë kanë paguar shuma të mëdha në fushatën zgjedhore, njoh që janë futur edhe në kredi, kanë harxhuar energji, kanë vrapuar mjaft, me synimin e vetëm për të qenë deputet/e.
Për hir të korrektësisë e demokracisë duhet të bëhet rinumërimi i të gjitha votave në KQZ.
Që nga paslufta, jam i bindur që ka patur, ka edhe sot, e do të ketë edhe në të ardhmen dallavere kur në pyetjen janë listat e kandidatëve.
Të gjithë kemi dëgjuar për marrëveshjet e mundshme që mund t’i bëjnë komisionerët në qendrat e votimeve për listat e kandidatëve tek të gjitha partitë.
Unë flas publikisht e pa fije frike sepse kurrë nuk kam menduar e s’do jem pjesë e atyre lojërave të pista.
Andaj, për një garë fer e korrekte është shumë logjike që duhet të bëhet rinumërimi i votave në KQZ.
Vota e secilit kandidat nuk duhet të jetë në mëshirën e klasëve shkollore dhe personaliteteve të ndryshme të njerëzve, por duhet të numërohet në formë transparente dhe para mediave në KQZ”.