Pas raportimeve se Sindikata e Trepçës është e pakënqaur me bordin e ri të zgjedhur më datë 06.03.2020 nga Qeveria, kryetari i kësaj Sindikate Gani Osmani e ka demantuar një gjë të tillë.
Ai për Klan Kosovën ka bërë të ditur se është krijuar një grup prej 11 inxhinierëve që po pretendojnë kinse e kanë krijuar një sindikatë në vete dhe të cilët po e kundërshtojnë borin e ri, që sipas Osmanit, nuk kanë legjitimitet.
Ndërsa sa i përket Sindikatës Trepça me Flotacion Stantërg, kryetari Osmani ka theksuar se përbëhet prej 640 punonjësve që paguajnë anëtarësi.
“Ne i përfaqësojmë dhe kemi 110 anëtarë nga sigurimi fizik, e kemi elektrolizën e zinkut me 31 punëtorë, i kemi edhe tre përfaqësues në Skenderaj në fabrikë të municionit, edhe një numër prej 10-12 nga Administrata e Trepçës në Bord. Kështu ne i kemi në dokumente 640 anëtarë që paguajnë anëtarësi”.
“Për përfaqësues të punëtorëve, ne sindikatat e kemi propozuar Shyqri Sadikun. Janë mbledhur 11 nënshkrime prej kryesisë së Sindikatës në Trepçë, pastaj ka qenë nënshkrimi i fabrikës së procesit të pajisjeve. Ka nënshkruar përfaqësuesi i Kishnicës, përfaqësuesi i metalurgji-zinkut edhe përfaqësuesi i sigurimit fizik, përfaqësuesi i fabrikës së akumulatorëve që të jenë 16 nënshkrime gjithsej”.
“Kur është shkarkuar bordi i Trepçës nga Qeveria – i ka shkarkuar komplet – unë si kryetar i Sindikatës e kam shprehur një pakënaqësi përmes Facebook-ut. Pakënaqësia ka pasur të bëjë veç për anëtarin tonë që e kemi propozuar dhe jo për të tjerët”.
“Tash kur është zgjedhur bordi i ri, ne si sindikatë jemi të kënaqur me të sepse konsiderojmë se është i përbërë prej ekspertëve. Sa i përket përfaqësuesit tonë, ai vetëm e ka vazhduar punën e tij si e ka pasur”.
“Tash ka disa pakënaqësi – janë një grup i inxhinierëve që janë të pakënaqur, po thonë se e kanë formuar një sindikatë në vete. Shqetësimi ynë është se nuk mund të ankohet dikush në emër të punëtorëve kur nuk ka legjitimitet dhe ka të anëtarësuar vetëm një punëtorë”.