Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP) në bashkëpunim me Qendrën Austro-Franceze për Rivendosjen e Marrëdhënieve Miqësore në Evropë (CFA), nga Instituti Francez për Marrëdhënie Ndërkombëtare (IFRI) organizuan konferencën ndërkombëtare me temën “Sfida e Integrimit Evropian të Kosovës: Bashkëpunimi Rajonal dhe Marrëdhëniet Fqinjësore.”
Më 1 prill 2016 ka hyrë në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt konvergjencës politike dhe ekonomike të Kosovës si dhe statusit të vendit kandidat.
Kjo marrëveshje është lidhja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, megjithëse ende e lë të pazgjidhur çështjen e mosnjohjes së shtetit nga pesë shtete anëtare.
Përveç reformave të domosdoshme politike dhe ekonomike, në administratën publike, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e minoriteteve si dhe tregtinë e lirë, integrimi evropian i Kosovës nënkupton theks të veçantë në bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.
Në këtë konferencë u diskutua rreth forcave shtytëse dhe vështirësive të Kosovës gjatë procesit të integrimit evropian, progresin që Qeveria e Kosovës e ka bërë deri më tani në këtë drejtim si dhe bashkëpunimet rajonale dhe marrëdhëniet fqinjësore të Kosovës me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Në panelin e parë u diskutua rreth progresit dhe vështirësive në integrimin evropian të Kosovës.
Jeton Mehmeti nga Instituti GAP foli mbi sfidat e Kosovës në përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit Evropian.
Albana Merja nga GSJP foli mbi përfitimet dhe detyrimet që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit.
Ndërkaq Jean-Arnault Derens, kryeredaktor nga “Le Courrier des Balkans” foli mbi bllokimin e integrimeve evropiane.
Në panelin e dytë u diskutua mbi bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet ndër-fqinjësore. Adrian Hackaj nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim foli mbi bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri nga aktorët jo-qeveritar.