Instituti GAP ka publikuar raportin “Buxheti 2018 dhe rekomandimet e Komisionit Evropian”, i cili analizon rekomandimet e Komisionit Evropian për Kosovën karshi ndarjeve buxhetore për vitin 2018. Të gjeturat e raportit tregojnë se ka pasur rritje të buxhetit për disa institucione/fusha për të cilat ka rekomanduar KE, mirëpo kjo rritje mbetet e pamjaftueshme.
“Rritja e numrit të ministrive dhe fragmentimi i institucioneve të pavarura ka ndikuar në rritjen e shpenzimet rrjedhëse buxhetore dhe njëkohësisht ka penguar kohezionin në vendimmarrje,” thuhet në raport, shkruan EkonomiaOnline.
Institutit GAP vlerëson se, në mënyrë që Qeveria e Kosovës të funksionojë në mënyrë optimale dhe të shmang problemin e shpërndarjes së kompetencave nëpër ministri të ndryshme, do të duhej të ulte numrin e ministrive nga 21 në 13.
“Sipas përllogaritjeve tona, nga kjo ulje e numrit të ministrive, vetëm nga shpenzimet e pagave, telefonisë mobile dhe drekave, buxhetit të Kosovës do t’i kurseheshin rreth 3.2 milionë euro në vit apo 12.9 milionë euro për një mandat qeverisës prej katër vitesh”.
Buxheti për rend dhe siguri publike është rritur krahasuar me vitin e kaluar, mirëpo duhet buxhet i shtuar për trajnim të prokurorëve dhe gjyqtarëve, financim të strategjisë kundër-korrupsion dhe në përgjithësi rritjen e kapaciteteve për luftën ndaj korrupsionit.
Sa i përket zhvillimit të tregut dhe arsimit, shpenzimet në arsim dhe hulumtime mbesin ndër më të ulëtat në rajon. Ka pasur një rritje të buxhetit tek institucionet që merren më zhvillimin e tregut në kuadër të MTI-së, mirëpo buxheti për disa nga këto institucione mbetet i pamjaftueshëm. Në anën tjetër, shqetësuese mbetet funksionimi i ZRRE-së për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm. Gjithashtu, përkundër rritjes së buxhetit të Agjencisë së Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, ende nuk është themeluar fondi për efiçience të energjisë.
Me gjithë rritjen e buxhetit për Ministrinë e Shëndetësisë, ndarja e buxhetit për këtë sektor është e pamjaftueshme. Rreth 40% e shpenzimeve në shëndetësi paguhen nga xhepat e qytetarëve dhe kjo është rreth dyfishi i përqindjes së shpenzimeve të qytetarëve në BE. Edhe sa i përket çështjeve sociale, për shkak të rregullimit të dobët ligjor, financimi i shërbimeve sociale nga komunat është i ulët. Sa i përket çështjeve mjedisore, ka pasur një ngritje të buxhetit mirëpo MMPH nuk i është përgjigjur Institutit GAP nëse ky buxhet është i mjaftueshëm.
Probleme të financimit ka edhe në fushën e medieve dhe statistikave. Ashtu sikurse vitet e kaluar, ende nuk është siguruar një formë e qëndrueshme e financimit për RTK-në, ndërsa mungesë e buxhetit është cilësuar të ketë edhe KPM dhe ASK.