Në kuadër të hapjes se konferencës “Java kundër korrupsionit 2017”, Instituti GAP do të publikojë dy raporte hulumtuese: “Monopoli në homologimin e veturave” dhe tjetri “Falja e borxheve për ambalazhuesit e ujit”.
Në një konferencë për medie, me rastin e lansimit të fushatës, Nora Latifi-Isufi, nga Instituti GAP, tha se këto dy vendime kanë dëmtuar konkurrencën dhe kanë anashkaluar Kuvendin e Kosovës, duke favorizuar vetëm një kategori të bizneseve private.
“Krijimi i monopolit në homologimin e veturave dhe falja e borxheve ndaj ambalazhuesve të ujit janë dy vendime të ndara. Këto dy vendime kanë dëmtuar konkurrencën, kanë anashkaluar Kuvendin e Kosovës dhe kanë favorizuar vetëm një kategori të bizneseve private në dëm të interesit të përgjithshëm të qytetarëve”, tha Latifi-Isufi, raporton Ekonomia Online.
“Këto dy vendime janë marrë në kundërshtim me ligjet në fuqi. Përveç që duhet të revokohen, duhet edhe të hetohen nga organet kompetente”, shtoi ajo.
Berat Thaçi, nga Instituti GAP, tha se për homologimin e veturave, ministria e atëhershme e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, me ministër Fatmir Limajn, nuk ka hapur procedura tenderimi, por i ishte dhënë vetëm një kompanie.
“Monopoli në homologimin e veturave daton që nga fundi i vitit 2008, kur Ministria e Transport dhe Post-Telekomunikacionit, tash Ministria e Infrastrukturës, ka nënshkruar një kontratë ekskluzive me kompaninë ‘EuroLab’ për homologimin e veturave që regjistrohen për herë të parë në Kosovë. Kjo kontratë është nënshkruar nga ministri i atëhershëm, Fatmir Limaj, dhe për dhënien e kësaj kontrate, Ministria nuk ka shpallur procedura të tenderimit duke i dhënë qasje vetëm një kompanie”.
Ai tha se krahas shmangies së konkurrencës dhe caktimit të çmimeve janë bërë edhe shkelje tjera ligjore.
“Pronarët e automjeteve, krahas monopolit në homologim dhe kontrollimin e parë teknik, ekziston edhe një monopol i tretë që përcakton qendrën e autorizuar për homologim”.
Ndërsa për faljen e borxheve për ambalazhuesit e ujit, e cila u bë nga Qeveria Haradinaj, Thaçi tha se është shkelje ligjore dhe në kundërshtim me përcaktimin e pronësisë së burimeve ujore të Kosovës.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës më 3 tetor 2017 për faljen e 51 milionë eurove borxhe për ambalazhuesit e ujit është shkelje ligjore. Ky vendim është në kundërshtim me përcaktimin e pronësisë së burimeve ujore të Republikës së Kosovës, sepse nga ky vendin ka përfituar një grup i vogël nga pasuri shtetërore”, theksoi Thaçi.