GAP: Mbi 230 mln € u shpenzuan në mënyrë të parregullt

Prishtinë | 05 Dhj 2016 | 13:14 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti GAP dhe organizatat e koalicionit “Java kundër korrupsionit”, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Kosovë, organizuan tryezën me temë: “Luftimi i korrupsionit përmes transparencës buxhetore dhe rishikimit të raporteve të Auditorit të Përgjithshëm”.

Nora Latifi Shala, nga instituti GAP, tha se Zyra e Auditorit gjen shkeljen në institucionet publike, sa i përket shpenzimeve të parregullta për çdo vit, raporton Ekonomia Online.

Sipas saj vetëm gjatë vitit 2013 dhe 2014, në formë të parregullt janë shpenzuar mbi 230 mln euro.

“Në vitin 2013, 115 milionë euro, kurse në vitin 2014, 118 milionë euro apo rreth 15 për qind të shpenzimeve të audituara, del se janë shpenzuar në procese të parregullta. Shumë pak kemi dëgjuar se dikush ka dhënë përgjegjësi për të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm”.

Instituti GAP kërkon nga institucionet publike që të japin të dhëna më të detajuara për shpenzimin e parasë publike, duke përfshirë edhe personat përgjegjës për shpenzimin buxhetit për telefona zyrtarë, për vizita jashtë vendit të drejta zyrtare etj.

Mike De La Rosa, ushtrues detyre i drejtorit të USAID-it në Kosovë, tha se korrupsioni në Kosovë pengon investimet e huaja dhe mundësinë e Kosovës për të arritur potencialin e saj për zhvillim ekonomik, meqenëse siç e citoi Biden ai është kancer për çdo shoqëri.

De la Rosa shtoi se të gjithë taksapaguesit kanë të drejtë të dinë se ku dhe si shpenzohen paratë e tyre. Vetë fakti që organizohen tryeza diskutimi për këto çështje është hap i drejtë në arritjen e luftimit të korrupsionit.

Agim Krasniqi, zëvendësministër i financave theksoi se qeveria, përkatësisht ministria e financave i ka vënë synim vetes të rrisë transparencën në raportet e dala nga ky institucion duke bërë ndryshimin e përshkrimit të të dhënave në mënyrë që leximi i tyre të jetë më i lehtë, duke marrë vendimin për implementimin e e-prokurimit i cili që nga janari 2017 do të jetë i obligueshëm për të gjitha organizatat buxhetore në nivelin lokal dhe qendror si dhe ndryshimin e sistemit kontabël nga sistemi kesh në atë akrual.

Besnik Osmani, auditor i përgjithshëm në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) theksoi se edhe pse raportet e ZKA-së janë plotësisht publike dhe transparente duhet të bëhet koordinim më i mirë i diskutimit të raporteve me të gjeturat me rrezik të madh meqenëse shpeshherë disa raporte me më pak të gjetura bëhen më aktuale.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, ZKA ka dhënë mbi 1300 rekomandime, nga të cilat 830 ishin me rrezik të madh pavarësisht partisë politike e cila është bartëse e cilit do institucion si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal. Ai po ashtu ftoi shoqërinë civile për bashkëpunim që të luftohet korrupsioni nga të gjitha anët.

Tryeza pasoi edhe me diskutime nga pjesëmarrësit e tjerë që ishin pjesë e shoqërisë civile si dhe sektorit publik ku u diskutua mbi gjetje të ndryshme rreth shkeljeve në sektorin publik dhe adresimit të tyre nga gjyqësia.

java-e-korrupsionit

mike-de-la-rosa

Të ngjashme