Instituti GAP ka bërë dallimet në mes të Projektligjit dhe Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017.
Në analizën e GAP-it thuhet se më 22 dhjetor 2016, pak më shumë se një javë para se të skadonin ndarjet fiskale për vitin 2016, Kuvendi i Kosovës shqyrtoi në lexim të parë Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017. Ligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017 u miratua në dy lexime brenda më pak se 24 orëve.
Në leximin e dytë të projektbuxhetit janë votuar 60 ndryshime. Nga këto ndryshime, janë shtuar 27.6 milionë euro në tavanet e shpenzimeve të organizatave buxhetore qendrore. Shumica e këtij buxheti (97%) është marrë nga Ministria e Financave, përkatësisht nga “Kontigjenca për investime kapitale nga AKP-ja”.
“Institucioni i cili ka përfituar më së shumti nga ndryshimet në projektbuxhet është Ministria e Infrastrukturës (MI). Buxheti i kësaj ministrie është rritur për 11.5 milionë euro (4%) dhe e gjithë rritja e buxhetit është ndarë për shpenzime kapitale. Shumica e kësaj rritje (91% apo 10.5 milionë euro) është ndarë për infrastrukturë rrugore. Më ndryshimet në projektbuxhet, MI do të menaxhon 305.6 milionë euro (së bashku me investimet nga klauzola e investimeve) apo 50% të buxhetit qendror për investime kapitale të nivelit qendror. Me projektbuxhet kjo ministri menaxhonte 48% të buxhetit për investime kapitale qendrore”, thekson GAP-i, raporton Ekonomia Online.
Pas MI-së, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) është ministria e cila ka përfituar më së shumti nga ndryshimet në buxhet. Buxheti i kësaj ministrie është rritur për 4.5 milionë euro (16%). Shumica e rritjes (84%) shkon për investime kapitale, ndërsa nga kjo rritje 40% (1.8 milionë euro) i dedikohen sporteve. Një ndryshim strukturor sa i përket MKRS-së, është se Agjencia Shtetërore e Arkivave ka kaluar nën menaxhimin e MKRS-së nga Zyra e Kryeministrit.
“Edhe buxheti i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) është rritur dukshëm prej 3.2 milionë euro (7%). Kjo rritje është ndarë tërësisht për investime kapitale, ndërsa shumica e rritjes së buxhetit (95%) do të menaxhohet nga programi për burimet ujore. Buxheti i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është rritur për 2.2 milionë euro (5%) dhe shumica e kësaj rritjeje (2.1 milionë euro) është dedikuar për investime kapitale në arsim parauniversitar”, thuhet në publikim.
Këshillit Gjyqësor të Kosovës i është ulur kufiri i shpenzimeve për 10,200 euro në kategorinë e pagave dhe mëditjeve, ndërsa këto mjete janë bartur tek Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave për rritjen e numrit të stafit për katër persona.
Megjithëse buxheti për kategorinë e pagave dhe mëditjeve nuk është rritur, në këto institucione është rritur numri i lejuar i punëtorëve: Shërbimi Korrektues i Kosovës- Ministria e Drejtësisë; Administrata Tatimore e Kosovës – Ministria e Financave; Inspektorati Policor i Kosovës- Ministria e Punëve të Brendshme; Ambasadat – Ministria e Punëve të Jashtme; dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës. Gjithashtu në Ministrinë e Shëndetësisë, 220 persona nga programi për specializime që në projektbuxhet janë planifikuar të paguhen nga kategoria e subvencioneve, kanë kaluar në kategorinë e pagave dhe mëditjeve.
Tabela. 1 Ndryshimet në kufijtë e shpenzimeve për organizata buxhetore qendrore
Tabela. 2 Dallimet në buxhetin e MKRS-së
Tabela. 3 Ndryshimet në numrin e stafit