Instituti GAP ka identifikuar së paku pesë problemet më të mëdha me të cilat përballen komunat, zgjidhja e të cilave bie në kompetencë të qeverive komunale.
Identifikimi i problemeve është bërë përmes intervistave me anëtarë të shoqërisë civile, përfaqësues të medieve, ekspertë dhe përfaqësues politikë, gjatë muajve korrik dhe gusht.
Publikimi i raporteve bëhet sot, kur ka filluar zyrtarisht fushata për zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017, të gjashtat që nga paslufta.
Përveç problemeve të identifikuara, raportet e Institutit GAP pasqyrojnë edhe trendet buxhetore për disa vite, në secilën komunë, me qëllim që votuesit dhe pjesëmarrësit aktivë në procesin zgjedhor të njohin kapacitetet buxhetore të komunave. Instituti GAP shpreson se kandidatët për kryetar/e komune dhe kuvende komunale, gjatë fushatës zgjedhore do të trajtojnë problemet kryesore me të cilat përballen qytetarët.
Instituti GAP ka identifikuar problemet kryesore të komunave edhe katër vite më parë dhe ka monitoruar të gjitha premtimet e dhëna të kryetarëve aktual të komunave, mandati i të cilëve përfundon pas një muaji.
Në zgjedhjet e kaluara janë dhënë 522 premtime nga 30 kryetarë të komunave. Gjatë kësaj kohe (2013-2017), zgjedhje të jashtëzakonshme lokale ka pasur në Graçanicë dhe Drenas ku numri i premtimeve është rritur në 548.
Premtimet kanë prekur fusha të ndryshme, kryesisht ato për infrastrukturë e shërbime publike, por edhe për zhvillim ekonomik, rritje të punësimit, çështje sociale, çështje mjedisore, aspekte buxhetore, çështje të arsimit, bujqësisë, shëndetësisë, kulturës, sportit, turizmit, administratës, rinisë e trashëgimisë.
Nga 548 premtimet e dhëna, deri në gjysmën e dytë të muajit shtator 2017, janë përmbushur plotësisht 283 premtime, 78 premtime janë përmbushur pjesërisht, janë iniciuar procedura për realizimin e 121 premtimeve, ndërsa në 66 premtime nuk ka pasur asnjë hap në përmbushjen e tyre.
Kategoria ku më së shumti janë përmbushur premtimet lidhet me infrastrukturën, përkatësisht premtimet për rregullimin dhe asfaltimin e rrugëve, instalimin e rrjetit të ujësjellësit, kanalizimit, impiante për trajtimin e ujërave të zeza, ndriçimit publik, ndërtimin e urave, etj. Në ketë kategori janë dhënë 185 premtime, janë përmbushur plotësisht 117 premtime, pjesërisht janë përmbushur 25, kanë nisur 31 dhe nuk janë përmbushur 18 premtime. Premtimet e pa përmbushura në këtë kategori kryesisht lidhen me zgjerim të rrjetit të kanalizimit, impiante për trajtimin e ujërave të zeza, zgjerimin e rrugëve, lidhjen e disa rrugëve me rrugë magjistrale dhe ndërtimin e urave.
Kategoria e dytë e premtimeve është ajo e bujqësisë. Në fushatën e kaluar zgjedhore janë dhënë premtime për përkrahje të fermerëve me makina punuese, makina mjelëse, farëra për mbjellje, ofrim të koshereve për bletë, ofrim të ndihmës për hapjen e fermave të reja, ndërtim të serrave, ndërtim të stallave, rritje të plantacioneve bujqësore, ujitje të tokave, këshilla fermerëve dhe bujqve si dhe ndihmë në shitjen e produkteve. Në këtë kategori janë dhënë 96 premtime, ku janë përmbushur 63 premtime, pjesërisht të përmbushura janë nëntë premtime, dhjetë janë filluar, kurse për realizueshmërinë e 14 premtimeve nuk ka pasur asnjë hap. Premtimet e pa përmbushura janë kryesisht në rritjen e plantacioneve bujqësore si dhe në ofrimin e shitjes së produkteve bujqësore.
Kategoria e tretë për nga niveli i përmbushjes së premtimeve është ajo e shërbimeve publike. Në këtë fushë është premtuar në mes tjerash edhe heqja e deponive të mbeturinave, emërtimi i rrugëve, pastrimi dhe rregullimi i shtretërve të lumenjve, vendosja e shportave dhe kontejnerëve të mbeturinave, krijimi i parqeve dhe këndeve të gjelbëruara, vendosja e shkallëve emergjente në ndërtesa si dhe mirëmbajtja e ndërtesave kolektive. Në këtë fushë janë dhënë 88 premtime, prej tyre 55 janë realizuar plotësisht, 11 premtime janë realizuar pjesërisht; realizimi i gjashtë premtimeve tjera është në fazë të hershme, ndërsa nuk ka pasur asnjë zhvillim në realizimin e 13 premtimeve.
Kategoria e katërt për nga niveli i përmbushjes së premtimeve është ajo rreth arsimit. Në këtë fushë janë premtuar mes tjerash ndërtimi i objekteve shkollore, ndërtimi i anekseve shkollore, largimi i ndërrimit të tretë, dhënia e bursave, vlerësimi periodik për mësimdhënësit, rritja e numrit të kabineteve dhe laboratorëve, hapja e bibliotekave, krijimi i fushave të rekreacionit dhe sportit brenda shkollave si dhe shtimi i inventarit. Në ketë fushë janë dhënë 72 premtime, prej tyre janë përmbushur plotësisht 19, pjesërisht të përmbushura rezultojnë 31, kanë nisur të realizohen shtatë premtime, kurse nuk ka asnjë hap në realizimin e 15 premtimeve. Të pa përmbushura kanë mbetur premtimet për vlerësim periodik të mësimdhënëseve, rritja e numrit të kabineteve dhe laboratorëve si dhe krijimi i hapësirave rekreative-sportive.
Fushat ku komunat nuk kanë arritur t’i përmbushin premtimet lidhen me zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, tërheqjen e investimeve nga diaspora, hapjen e ndërmarrjeve të reja, funksionalizimin e zonave ekonomike dhe parqeve industriale, zhvillimin e projekteve në partneritet publiko privat, përmirësimin e gjendjes në shëndetësi, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, krijimin dhe financimin e ekipeve për hulumtime arkeologjike, mbulimin e zonave me plane rregulluese, hartimin e strategjive sektoriale, etj.
Instituti GAP thotë se do të monitorojë edhe premtimet e dhëna gjatë kësaj fushate zgjedhore dhe do të raportojë për realizueshmërinë e tyre edhe në katër vitet në vazhdim.