Instituti GAP ka publikuar raportin me titull “Monitorimi i Strategjisë për Modernizimin e Administratës Publike”. Monitorimi përfshinë periudhën dhjetor 2015 – dhjetor 2017. Strategjia për Modernizimin e Administratës Publike 2015-2020 dhe Plani i Veprimit 2015-2017 për zbatimin e kësaj strategjie janë miratuar nga qeveria në shtator 2015. Strategjia përmban tri objektiva: shërbimin civil, procedurat administrative dhe ofrimi i shërbimeve publike, si dhe organizimi i administratës publike dhe llogaridhënia. Ndërkaq, plani i veprimit përmban 54 aktivitete të cilat është dashur të realizohen gjatë periudhës 2015-2017. Por, nga gjithsej 54 aktivitete, vetëm 16 janë kryer plotësisht, përderisa 22 aktivitete janë në faza të ndryshme të realizimit, kurse 16 të tjera nuk janë kryer.
Objektivi i parë i strategjisë mbi shërbimin civil përmban 18 aktivitete, prej të cilave vetëm tetë janë kryer. Në mesin e aktiviteteve të cilat nuk kanë përfunduar janë: finalizimi i klasifikimit të vendeve të punës të shërbimit civil dhe zbatimi i sistemit të ri te pagave; plotësim ndryshimi i Ligjit për Shërbimin Civil me qëllim të organizimit dhe funksionalizimit të shërbimit civil me funksional dhe jopolitik; krijimi dhe zhvillimi i sistemit të kreditëve për trajnimet e zhvillimit të karrierës dhe të detyrueshme; organizimi i programit të ekselencës në administratën publike.
Objektivi i dytë i strategjisë mbi procedurat administrative dhe ofrimi i shërbimeve publike administrative përmban 25 aktivitete, prej të cilave vetëm shtatë janë kryer. Nga aktivitetet që nuk janë përfunduar janë: lansimi i portalit e-Kosova; vendosja e kutive për marrjen e opinioneve në të gjitha institucionet mbi shërbimet e ofruara; publikimi i listës së shërbimeve administrative, kohëzgjatja e realizimit, kriteret si dhe kostoja për realizimin e tyre; publikimi i të dhënave të kontaktit për çdo institucion dhe për personin i cili është përgjegjës për ofrimin e shërbimit publik administrative përkatës.
Ndërkaq objektivi i tretë mbi organizimin e administratës publike dhe llogaridhënien përmban 11 aktivitete prej të cilave është kryer vetëm një, e që është hartimi i koncept dokumentit për politikat e qasjes në dokumente publike. Ndër aktivitetet e papërfunduara janë: ri-organizimi i administratës publike sipas bazës së re ligjore; monitorimi dhe zbatimi i Kodit të Etikës në shërbimin civil; krijimi i databazës për kërkesa për qasje në dokumente publike; krijimi i listës së informatave për të cilat institucionet janë të obliguara t’i publikojnë në uebfaqet e tyre; plotësimi i kuadrit ligjor për qasjen në dokumente publike.