Instituti GAP organizoi tryezë diskutimi, me ç’rast u prezantua analiza “Ndikimi buxhetor i Ligjit për pensionin meritor të punëtorëve të arsimit shqip të viteve 1990”.
Sipas institutit GAP, kostoja buxhetore për këtë Projektligj prej vitit 2019-2049 do të arrijë deri në 650 milionë euro.
Sipas MF-së dhe MAShT-it, përfituesit e pensioneve meritore do të marrin një mbështetje shtesë financiare prej 67,75 euro, respektivisht prej 23,25 euro, raporton Ekonomia Online.
Sipas përllogaritjeve të Institutit GAP, në formën aktuale si është shkruar ky projektligj, pensionstët e kategorisë së parë, ata që kanë më së paku 5 vjet përvojë pune në vitet e 90-a, marrin pension shtesë në mes të 73,75 euro dhe 228,65 euro. Kurse pensionistët e kategorisë së dytë, ata që kanë 1-5 vjet përvojë pune, marrin pension shtesë nga 33,25€ deri 188,25€.
Sipas njërit nga skenarët e këtij instituti, në dy vitet e para 2019-2020, kostoja buxhetore e këtij ligji pritet të jetë rreth 30.4 milionë euro apo 16,1 milionë euro (114%) më e lartë sesa kalkulimet që i ka bërë Ministria e Financave, thuhet në raportin e Institutit GAP.
Agron Demi, nga Instituti GAP, ka thënë se nëse ky ligj miratohet, deri në vitin 2049 arrin kosto buxhetor deri në 650 milionë euro që, sipas tij, krijon barrë buxhetore për vendin.
“MF nuk e ka llogaritë që paga bazë rritet 4% çdo vit. Ky projektligj krijon një barrë buxhetore më të madhe se nga ajo që është përllogaritur nga MF dhe MAShT, 650 milionë euro do të jetë kostoja. Nëse llogaritet komplet jetëgjatësia e këtij ligji kostoja buxhtore është 650 milionë euro deri në vitin 2049”.
“Instituti GAP rekomandon:
*Kuvendi i Kosovës të kthejë mbrapa në Qeveri projektligjin për statusin e punëtorëve dhe të obligojë Qeverinë që të hartojë një ligj të ri për skemat pensionale të financuara nga shteti;
*Nëse Kuvendin vazhdon me amendamentim të Projektligjit, Instituti GAP rekomandon që:
– Të largohet pika 2 e nenit 6, i cili parasheh bartjen e pensionit te bashkëshort-ët/et;
– Neni 7 të ndryshohet duke mos ndërlidhë pensionin meritor me pagën bazë, por duke vendosur kritere më të detajuara për përfituesit e pensionit meritor.
*Në vend të financimit të vazhdueshëm vjetor të shikohet mundësia e pagesës së kontributeve të njëhershme në bazë të viteve të angazhimit në arsimin shqip”.
Zv.ministri i Financave, Fatmir Gashi, ka theksuar se nëse ky ligj miratohet do të ndikojë negativisht në stabilitetin ekonomik të vendit.
Ai shprehu shqetësim duke thënë se tashmë edhe kategoritë e tjera që kanë kontribuar gjatë atyre viteve mund të kërkojnë njohje të kontributit.
“MF-ja ka bërë vetëm llogaritjen e asaj çka ka sjellë MAShT dhe MSh-ja. Sponzorizuesi i ligjit është MAShT, kjo është një skemë pensionale që do duhej të merrej MPMS-ja dhe jo MAShT, është e habitshme pak. Ligji do të ketë ndikim 280 milionë euro deri në 2031 do të ketë impakt”.
Lumir Abdixhiku, kryetar i komisionit për Buxhet dhe Financa, fajin për aprovimin e këtij ligji ia hodhi pozitës duke thënë se ata kanë shumicën për të vendosur, raporton EO.
Ai tha se pozita duhet të ketë më shumë përgjegjësi për shfrytëzimin e parasë publike.
“Mosqartësimi i kostove buxhetore prej dy ministrave të një qeverie të krijojë përshtypje të pasigurisë. Është e drejtë legjitime buxhetin ta ndajmë për skema pensionale, por ka implikime buxhetore në të ardhmen për gjeneratën e tanishme. Në qoftë se e trajtojmë arsimin e viteve të 90-ta do të jetë edhe ligji për shëndetësinë të viteve të 90-a që të trajtohet”.
“Pozita të ketë më tepër përgjegjësi në shfrytëzimin e parasë publike, pozita ka në dorë këtë pasi që ka shumicën edhe në komsione, mund ta kalojë në Kuvend edhe në komisione”.
Nezir Çoçaj, nga PDK-ja, ka thënë se asnjë angazhim tjetër nuk krahasohet me angazhimin dhe kontributin e mësimdhënësve në vitet ‘90-‘99.
“Angazhimi i mësimdhënësve nuk mund të krahasohet me asnjë kategori tjetër, jo pse dua të neglizhojë, por janë kategoria që ka kontribuar më së shumti”.
Ymer Ymeri nga SBAShK-u tha se analiza e GAP-it se kostoja buxhetore për përfituesit e kësaj kategorie deri në vitin 2049 do të arrijë 650 milionë euro është e imagjinuar.
“Asnjëri nga buxhetet e prezantuara nuk janë të sakta. Kemi dyshime që në çdo hap po tentohet me u pengu ligji. Është e pamundur me nxjerrë numrin e saktë të përfituesve”.
“Po të jetë kjo shumë e GAP që do arrijë deri në 2049, 650 milionë euro pse kërkush nuk po e mendon që nuk kemi pasë pare, pse nuk po kërkohet të kthehet fondi i vjedhur nga Serbia, nëse kthehet ai fond nuk do të duhej të investohej nga ne. 650 milionë është vetëm e imagjinuar, kalkulimi prej MF-së është i përafërt, por prapë është i fryrë”.