Edon Zhegrova ishte startues në ndeshjen kundër Nantesit, por jo domosdoshmërish është numri një në kokën e trajnerit Paulo Fonseca.
Zhegrova u kthye pas lëndimit dhe ishte lojtari më i rrezikshëm i Lilles në momentet e para të lojës. Por, Ounas ishte më efikas. Shënoi golin e dytë në fitoren 2:0 ndaj Nantesit në fundjavë.
Zhegrova dhe Ounas kanë shumë të përbashkëta. Janë të dy driblues, gjuajnë fortë, janë të shpejtë dhe mund t’i hutojnë mbrojtësit kundërshtar. Ish-përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse pati thënë se Zhegrova duhet ta ndryshojë mënyrën e lojës nëse dëshiron të bëhet i rëndësishëm për ekipin e tij.
“Duhet ta ndryshojë mënyrën e lojës së tij që të shfaqet para portës. Nëse ai kalon këtë nivel, ai do të befasojë kundërshtarët e tij dhe do ta kënaqë Paulo Fonsecan”, pati thënë Giresse, shkruan të martën “lavoixdunord.fr”.
Zhegrova 24-vjeçar pjesë e klubit francez është prej janarit të vitit 2022. Ai me Lillen ka kontratë deri në qershor të vitit 2026.