Pas futbollit do të vazhdojnë garat edhe në hendbollin kosovar. Bordi i Federatës së Hendbollit të Kosovës ka mbajtur mbledhje të martën ku ka vendosur që edicioni të vazhdojë.
Janë bërë disa modifikime në gara, por do të përcaktohen skuadrat kampione e po ashtu do të ketë promovim dhe largim nga ligat.
Edhe hendbolli ishte ndërprerë në mes të marsit pas paraqitjes së koronavirusit.
Në Superligën e meshkujve do të zhvillohet plejof në vend të fazës së tretë të garave. Gjysmëfinalet në mes të Besa Famgasit dhe Kastriotit si dhe Prishtinës e Trepçës do të luhen në dy ndeshje. Ndërkohë finalja do të luhet në dy fitore përkatësisht deri sa njëra skuadër t’i bëjë tri pikë (një fitore e një barazim).
Ndeshjet e para gjysmëfinale të plejofit është përcaktuar të luhen më 13 e 14 qershor, kurse skuadra do të kthehen në stërvitje në fillim të qershorit, ashtu si parashikohet me vendim të organeve të shëndetësisë.
Në Superligën e hendbollisteve katër skuadra kanë pikë të barabarta dhe me short do të përcaktohen çiftet gjysmëfinale. Në gjysmëfinale dhe finale të plejofit do të luhen vetëm nga dy ndeshje. Istogu, Vushtrria, Prishtina e Ferizaj do të luajnë në plejof, që po ashtu starton më 13 qershor.
Është vendosur që turneu final i Kupës së zhvillohet në fund të qershorit, kurse nga Superliga në të dy konkurrencat largohen skuadrat e fundit. Drita e Gjilanit është e fundit si te meshkujt ashtu edhe te femrat.
Skuadra e parafundit do të luajë në barazh me të dytin e Ligës së Parë. Liderët në Ligën e Parë kalojnë në Superligë për edicionin e ardhshëm.
“Bordi i FHK-së ka vendosur t’u dal skuadrave në ndihmë duke mbuluar shpenzimet e personave zyrtarë për ndeshjet e mbetura. Ndërkohë në edicionin e ardhshëm skuadrat do të lirohen nga kotizimi. Bordi i FHK-së njëzëri ka bërë thirrje që të respektohet vendimi i Qeverisë nga MKRS për përkrahje të sportit pas krizës së krijuar nga paraqitja e koronavirusit, per t’i ndihmuar klubet”, thuhet në njoftimin e FHK-së.
Skuadrat e futbollit kanë nisur stërvitjet të hënën, kurse ndeshjet fillojnë në qershor. Në basketboll garat janë ndërprerë shumë kohë më parë.
“Ne ishim të përkushtuar që të përfundojmë edicionin dhe vazhdojmë të mbesim të përkushtuar. Kjo do të bëhet duke respektuar masat e parapara. Kemi bërë disa ndryshime, ndërsa mendoj se kemi bërë gjënë më të mirë të mundshme. Ne do të kemi skuadra kampione e po ashtu skuadrat që dalin në Evropë. Është me rëndësi që të gjitha përcaktohen përmes garës sportive”, ka thënë Izet Gjinovci, sekretar i përgjithshëm i FHK-së.