“Gardhi”, film i metrazhit të shkurtër, i realizuar me mjeshtëri, është ‘Birdmani’ i tubimeve të familjeve jofunksionale. Film me realizim mbresëlënës dhe gjykime të mprehta”. Me këtë përshkrim kritiku James Prestridge e ka përfshirë filmin nga Kosova në mesin e tridhjetë filmave më të mirë të shkurtër të vitit 2018. Por kjo listë është veç edhe një konfirmim për nivelin e këtij filmi, pasi edhe në fund të vitit kishte edhe kritikë të tjerë që e kategorizuan në mesin e më të mirëve.
Lista me titujt e filmave është publikuar në “Close-Up Culture”, që publikon kritika, intervista e shkrime për filmin. Në këtë listë “Gardhi” është renditur i pesti. Përveç filmit të regjisores kosovare, mes më të dalluarve në këtë listë janë edhe “Fauve” nga Jeremy Comte, “All the Creatures” i Charles Williams, “Caroline” nga Celine Held e Logan George, “Skin” i Guy Nattiv e të tjerë.
Bujar Kabashi, producent i “Gardhit”, ka thënë se ky nuk është lajmi i parë i këtij lloji. Ai ka numëruar të gjitha listat me filma të dalluar të shkurtër në të cilat është përfshirë deri më tani filmi nga Kosova.
“Gjatë dhjetorit të vitit 2018, edhe kritiku i filmit dhe ish-programues i ‘Telluride Film Festival’, Jonathan Marlow, e përfshiu ‘Gardhin’ në mesin e 10 filmave më të mirë të vitit 2018. Po ashtu organizata ndërkombëtare e kritikëve të filmit, programuesve të festivaleve dhe distributorëve të filmit, ‘Short Film Conference’, e përfshiu në listën e ngushtë me 13 filma të vitit 2018”, ka thënë Kabashi. Fituesi do të zgjidhet më 4 shkurt gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër në Clermont Ferrand në Francë.