Përplasja e brezave dhe konfliktet mes besimeve tradicionale me formën bashkëkohore të jetës, është tema që trajton filmi “Gardhi”, i regjisores Lendita Zeqiraj. Si e tillë kjo temë do të shpaloset për herë të parë para publikut amerikan në kuadër të festivalit prestigjioz “Palm Springs International Short Film Festival”.
“Gardhi” do të ketë premierën botërore në këtë festival, i cili mbahet prej 19 deri më 25 qershor, dhe është pjesë e garës zyrtare. Ky festival këtë vit shënon edicionin e tij të 24-të dhe konsiderohet si më i rëndësishmi për filma të shkurtër në Amerikën Veriore, i cili çdo vit pranon më shumë se 5 mijë aplikime nga 100 shtete të ndryshme të botës. “Palm Springs…” njëherësh është edhe festival kualifikues për çmimet “Oscar”, BAFTA dhe “Los Premios Goya”, dhe deri tash ka prezantuar mbi 100 filma të shkurtër që janë nominuar ose shpërblyer me çmimin “Oscar”.
Kjo është një prej arsyeve, që sipas Zeqirajt, e bën më të veçantë pjesëmarrjen në këtë festival. Filmi i saj është bashkëprodhim i shtëpisë filmike kosovare “N’art”, “Sacrebleu Productions” nga Franca dhe “Woof Films” nga Kroacia, dhe është përkrahur financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës, “Cinema Fondacioni – Region Ile De France”, dhe Komuna e Prishtinës. QKK-ja e ka mbështetur filmin në konkursin e vitit 2016 me shumën prej 15 mijë eurosh.