Zero gola të shënuar dhe zero asiste.
Kjo është përmbledhja e paraqitjeve të Gareth Bale pas turneut amerikan të Realit të Madridit. Paraqitje të cilat nuk pëlqehen nga drejtuesit e klubit dhe nga tifozët, gjatë turneut në Shtetet e Bashkuara, uellsiani nuk arriti të plotësonte mungesën e Cristiano Ronaldos, përkundrazi në tre miqësoret e përfunduara pa fitore, Bale është vlerësuar me nota të ulëta, ndërsa nuk kanë munguar fërshëllimat nga tribunat.
Sulmuesi po e paguan shtrenjtë sezonin e kaluar, i cili ishte më i dobti për Bale në futbollin profesionist. E gjithë kjo, në një kohë kur tifozët e Realit presin versionin më të mirë të lojtarit që deri më tani është investimi më i madh i klubit. Mediat spanjolle kanë përllogaritur edhe paraqitjet e lojtarit, prej zbarkimit të tij në Madrid, në vitin 2014, në atë periudhë Reali pagoi 100 milionë euro te Tottenhami.
Çdo gol i shënuar deri më tani nga Gareth Bale i ka kushtuar “Los Blancos” plot 2 milionë euro. Sipas llogarive, Reali ka investuar çdo vit diçka më pak se 30 milionë euro për uellsianin. Shifra mjaft të larta, duke patur parasysh paraqitjet e deri tanishme, bazuar në 150 ndeshjet e luajtura nga Bale deri më tani, ai i ka kushtuar Realit të Madridit 12 mijë euro për çdo minutë aktivizimi në fushë.
Sipas gazetës “AS”, “investimi për 28-vjeçarin e ka dëmtuar klubin, ashtu si transferimi në “Bernabeu” e ka dëmtuar uellsianin në nivel psikologjik, pasi nuk ka arritur për asnjë moment të dalë nga hija e Cristiano Ronaldos”.