Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati ka thënë se dokumentet e dërguara në OVL-UÇK, janë dokumente origjinale të Gjykatës Speciale, raporton Ekonomia Online.
Gucati, ka thënë se sot kanë pasur një vizitë të pakëndshme në zyrat e OVL-UÇK-së.
“Sot kemi pasur një vizitë të pakëndshme në OVL të UCK-së, kanë ardhur hetuesit e Gjykatës Speciale. Me këshillën e avokatit Gashi këto materiale i dorëzuam”.
“Tashmë më në fund është vërtetuar se këto dokumente janë të Gjykatës Speciale apo të Dhomave të Specializuar, në Hagë”, ka thënë Gucati.
Ndërsa, avokati Tomë Gashi tha se duke u bazuar në logon e Gjykatës Speciale, vërtetohet se këto janë dokumente origjinale të tyre.
“Vërtetohet se këto janë dokumentet e Gjykatës Speciale. Vërtetohet se këto dokumente janë të Gjykatës Speciale, me këshillën time kryetari ka vendosur që tash tua dorëzoj”.
“Në bazë të logos e shikoni që këto dokumente janë të Gjykatës Speciale, apo të Dhomave të Specializuara në Hagë”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, në dokumentet e publikuara në media duhet pasur kujdes në publikimin e emrave dhe mbiemrave që gjenden në dokumente.