Shefi i deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, në Kuvend ka përmendur disa skandale që sipas tij ndodhën këtë javë, raporton Ekonomia Online. Ai hodhi dyshime se zjarri në Institutin e Mjekësisë Ligjore ka qenë i qëllimshëm.
Gashi tha se ky zjarre mund të jetë shkaktuar për të zhdukur zhurmë dhe prova kriminale. Ai përmendi edhe deklaratën e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Gashi foli edhe për raportimet se në këtë zjarr janë djegur mustaqet e Adem Jasharit dhe gishti i Isa Boletinit.
“Sot i drejtohem këtij Kuvendi dhe qytetarëve të Kosovës për të vënë theksin në tri skandale qeverisëses gjatë një jave. Skandali i parë është shtyrja e regjistrimit të popullsisë dhe pronës për një kohë të caktuar që më në detaje do të flas pas meje deputeti Avdullah Hoti”.
“Skandali i dytë është djegia për herë të dytë e IML-së, që për në vetvete jo vetëm që është skandal por është një rast jashtëzakonisht i rëndë që s’mund të tolerohet. Nuk mund të tolerohet sepse bëhet fjalë për një Institut që ka për detyrë dhe funksion të merret me hulumtimin shkencor të rasteve të vdekjeve, vrasjeve, vdekjeve të dyshimta e të tjerë”.
“E më e rëndë bëhet akoma kur kjo ndodhë për herë të dytë. Nëse e marrim dhe i shohim qëndrimet e ministres së drejtësisë e shohim që kjo situatë merr përmasa kriminale. Pra ministrja e Drejtësisë deklaron publikisht se nuk ka dëmtim të arkives, nuk ka dëmtim të mostrave mortore që mbahen në këtë Institut, e ndërkohë në media thuhet dhe rezulton se ka dëmtim të arkivës, jo vetëm që ka dëmtim të mostrave, por ka dëmtim të mbetje mortore të komandantit Adem Jashari e Isa Boletini, e mos të flasim për raste të qytetarëve të tjerë, të cilat mund të kenë dhe përmbajtje të qëllimshme për zhdukjen e rasteve kriminale”.