Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka organizuar ditën informuese për Planin e Punës 2019-2020 të Divizionit për Edukim Joformal dhe Promovim në Departamentin të Rinisë, raporton Ekonomia Online.
Ministri Kujtim Gashi, ka thënë se nuk është i mjaftueshëm numri i të rinjve që kanë marrë pjesë në programet e edukimit joformal, mirëpo sipas tij, do të rritet edhe me angazhimin i ministrisë.
“Po e përmbyllim një vit të shumë angazhimeve, rezultateve dhe sukseseve të MKRS-së, por po e përmbyllim edhe një vit të sfidave, kërkesave por edhe të brengave që kanë pasë të rinjtë në Kosovë. Pa dyshim kjo konferencë ka një qëllim të qartë, që ngërthen në vete bashkëpunim të ministrisë më shumë akterë dhe është momentum i mirë që vitet 2019-20 ta afrojmë tek tematikat e edukimit joformal”.
“Të rinjtë tanë që nuk ndjekin programe në shkolla, universitete të akredituara kanë mundësisë që aftësitë e veta t’i zhvillojnë përmes edukimit joformal. Janë 2700 të rinj në këtë program, por shpresojmë që t’i bëjmë 10 mijë”.
“Ne pretendojmë të kemi sa më shumë të rinj, t’i involvojmë në këtë program. E kemi të qartë si ministri që do ta kemi theks të veçantë për vitin 2019-2020 për tematikat e edukimit joformal. Në kuadër të departamentit jo vetëm të përfshijmë si numër por të përfshijmë edhe cilësi. Është fat i mirë se si ministri e kemi ngritë buxhetin për këtë departament dhe kemi lansim të programit të ri, që është fondi rinor në kauadër të këtij departamenti”.
Drejtori i Departamentit të Rinisë, Xhevat Bajrami, tha se numri i pjesëmarrësve të rinj në këto programe mund të jetë më i madh se numri që dha ministri.
“Vitin e ardhshëm do të kemi mbështetje më të madhe. Ai (ministri) tha se do të ketë rritje 10 mijë por ndoshta do ta rrisim në 15 mijë”.
Kreshnik Xharra, udhëheqës i divizionit për Edukim Joformal, ka prezantuar aktivitetet që do të bëhen gjatë programeve të edukimit joformal.
“Jemi të fokusuar në promovimin e vlerave dhe sektorit të edukimit joformal. Do jetë promovimi vlerave demokratike dhe krijimi i kulturës së edukimit gjatë gjithë jetës. Çdo aktivitet përmban herë seminar, konferencë, trajnime. Qëllim tjetër kemi rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në edukim joformal”.
“Aktivitete që i kemi përcaktuar ka qenë punë gjashtë mujore ku i kemi identifikuar disa nevoja të të rinjve. Numri i komunave që do të përfshihet është 38. 19 janë në vitin 2019 dhe 19 të tjera janë në vitin 2020. Numri i pjesëmarrësve, në çdo trajnim janë 30 pjesëmarrës, një trajnim zgjatë katër ditë”.
Ndërsa në fund kanë nënshkruar dy marrëveshje bashkëpunimi me partnerët që kanë konfirmuar bashkëpunim me ministrinë.