Milazim Gashi, Ish-zv.ministër për Komunitete, duke e komentuar vizitën e avokatit serb Çedomir Stojkoviq në varrezat e Jasharëve, tha se ai dhe klienti i tij Sanduloviq, nuk janë serbët e vetëm që i kanë vizituar varrezat në Prekaz.
Gashi në “Five”, tha se ka pasur disa serbë të cilët kanë bërë homazhe në Prekaz por në mënyrë private e jopublike.
Ai tha se duhet parë me dyshime këto vizita të serbëve për të bërë homazhe në Prekaz, derisa shtoi se vizita e avokatit serb është lojë taktike e Serbisë.
“Më shumë e shohë një lojë diplomatike për t’u paraqitur para ndërkombëtarëve që një pjesë e komunitetit serb nuk pajtohet me dhunën në Serbi. Vuciq edhe në zgjedhje i manipuloj… Serbia din me taktizu kësi veprimesh, duhet të jemi syhapur, mund të ketë pasoja, mund të ketë ndërhyrje nga qarqet e Serbisë. Nuk guxojmë të flejmë për shkak të vizitave në Prekaz, ka pasur edhe vizita private jopublike në Prekaz, nuk janë bërë publike. Dalja publike në këtë pikë e shoh me një formë një plus i vogël kurse në aspektin strategjik sepse paraqet platformë pozitive”, tha ai.
Ndërkaq, avokati Tomë Gashi, tha se nuk pajtohet me ish-zëvendësministrin Milazim Gashi. Ai tha se avokati serb nuk është zyrtar i lartë në Serbi, dhe se kjo vizitë nuk mund të sjellë dobi për Serbinë në arenën ndërkombëtare.
“Nëse do ishte zyrtarë i lartë isha pajtu me Milazimin, por as Stojkoviq si avokat i Sanduloviqit, i cili ishte kryetar i një partie opozitare u përkul para varrezave, pastaj e pësoj tepër rënd nga shërbimi sekret serb… Përvec që është rrahur brutalisht, ka qenë faktikisht më e rënda që ndaj tij është inicu vepër e rëndë penale, kinse po i shkatërron raportet”, tha ai.