Gashi: LDK ka ofruar zgjidhje për tejkalimin e krizës politike

Prishtinë | 17 Maj 2025 | 10:40 | Nga Ekonomia Online

Para seancës konsultative, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka deklaruar se partia e tij ka ofruar një zgjidhje konkrete për tejkalimin e krizës politike në vend, raporton Ekonomia Online.

“Ajo është qëndrim zyrtar i LDK-së si zgjidhje për kalimin e krizës – një qeveri me mandat dhe afat të caktuar, e cila do të krijonte një situatë më të relaksuar politike dhe do të ndihmonte në gjetjen e një zgjidhjeje më të pranueshme. Ideja është të kemi një qeveri të përbashkët, me mandat të caktuar, që të kalohet kjo situatë dhe të relaksohen raportet ndërmjet partive politike, duke mundësuar një qeverisje normale,” ka deklaruar Gashi.

Ai shtoi se LDK ndjen obligim për të kontribuar në zgjidhjen e krizës, dhe për këtë arsye ka paraqitur një opsion të qartë. “Nëse do të ndiheshim të papërgjegjshëm, nuk do të jepnim asnjë opsion,” theksoi ai.

Megjithatë, Gashi përkujtoi se e drejta kushtetuese për të propozuar mandatarin i takon vetëm partisë që del e para në zgjedhje, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje (VV), sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014.

“Kjo e drejtë vjen me obligime – ata kanë për detyrë të krijojnë shumicën për të kaluar kandidatin që propozojnë. Nëse nuk i kanë numrat, atëherë janë të detyruar të bashkëpunojnë. Bashkëpunimi nënkupton dialog, dhe dialogu kërkon që të gjitha palët të lëshojnë pe,” tha Gashi.

Ai ka theksuar se përgjegjësia tani bie mbi VV-në për të ofruar zgjidhje dhe për të gjetur konsensusin e nevojshëm.

“Ne kemi ofruar zgjidhje. Siç duket, ajo nuk ka qenë e pranueshme për Vetëvendosjen”, tha ai.

Të ngjashme