Në vazhdën e mbështetjes financiare për sportin dhe sportistët, sot në kabinetin e ministrit Kujtim Gashi, mes MKRS-së dhe Komitetit Paraolimpik të Kosovës është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi. Sipas këtij memorandumi, Komiteti Paraolimpik i Kosovës, për realizimin e objektivave të tij për vitin buxhetor 2018 mbështetet financiarisht me 25 mijë euro.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi dhe kryetarja e Komitetit Paraolimpik të Kosovës, Njomza Emini, u shprehën të kënaqur për nënshkrimin e këtij memorandumi.
Ministri Gashi tha se “mbështetja financiare për sportin dhe sportistët në vend dhe bashkëpunimi për mundësimin dhe lehtësimin e zhvillimit të aktiviteteve sportive nga ana e MKRS-së nuk do të ndalet”. Ai po ashtu tha se “me nënshkrimin e këtyre memorandumeve dhe mbështetjes financiare për sportin dhe sportistët po realizohen politikat tona programore për sportin”.