Tomë Gashi, përfaqësuesi juridik i familjes Dehari, thotë se Ministria e Drejtësisë dhe një institut në Zvicër tani kanë në duar rastin e Astrit Deharit, aktivisti i Vetëvendosjes që ndërroi jetë muaj më parë në burgun e Prizrenit.
Për Deharin institucionet e vendit kanë konstatuar se ai kishte vrarë veten, por kështu nuk mendojnë familjarët dhe përfaqësuesit e tij që kanë angazhuar një institucion në Zvicër për hetim të mëtejmë të rastit.
“Të shtunën, prindërit e Astrit Deharit kanë deklaruar se kanë zgjedhur një institut të pavarur zviceran që do të kryejë hetimet dhe ekspertizat e nevojshme. Nesër do të dërgoj shkresë zyrtare në Ministrinë e Drejtësisë, sepse ata kanë marrë përsipër që të kryejnë çdo pagesë, për çdo institut që zgjidhet nga familjarët, sipas një rezolute të Kuvendit. Instituti ka kredibilitet. Kanë qenë të involvuar shumë herë në raste të ngjashme dhe prindërit e Astrit Deharit kanë deklaruar se konsiderojnë se djali i tyre është vrarë. Ata do të pranojnë cilindo rezultat që del. Nesër do të dërgoj shkresë zyrtare dhe atëherë është në duart e Ministrisë së Drejtësisë që të kontaktojë këtë institut. Unë dhe prindërit e tij më s’kemi kurrfarë arsye juridike që të ndërhyjmë sepse kjo do të shkojë krejtësisht në mënyrë zyrtare. Detyra jonë është vetëm të vëmë kontaktin me ta”, ka thënë Gashi në Interaktiv.
I pyetur nëse do të kenë probleme pasi që rezoluta parasheh që institucionet të jenë nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe Zvicra nuk është, Gashi ka thënë: “ Unë besoj që Zvicra ka kredibilitet të madh dhe nuk besoj që ata do të hyjnë në këtë aspekt”.