Funksionalizohet organi koordinues ndër-institucional i Strategjisë për Sundimin e Ligjit

Prishtinë | 23 Mar 2022 | 17:14 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se sot me kryesim të zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë, Lulzim Beqiri dhe me përfaqësim të institucioneve përgjegjëse të sektorit të sundimit të ligjit dhe organizatave të shoqërisë civile në Kosovë, sot filloi punëtoria e Organit koordinues ndër-institucional për zbatimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit.

Në njoftim thuhet se qëllimi i këtij Organi është të mbledh dhe diskutoj të dhënat nga të gjitha institucionet e lartpërmendura dhe përgatit raporte për zbatimin e aktiviteteve nga Plani i Veprimit të Strategjisë.

“Në fjalën e tij para pjesëmarrësve, zëvendësuesi i Sekretarit, z. Beqiri, theksoi rëndësinë kyçe të këtij Organi dhe tregoi përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë për bashkëpunimin e plotë me institucionet tjera në zbatimin e aktiviteteve dhe veçanërisht në tejkalimin e sfidave që mund të shfaqen gjatë zbatimit. Më tutje, u theksua se Plani i Veprimit të Strategjisë gjithashtu do të ndihmoj koordinimin e partnerëve zhvillimor ndërkombëtarë, ashtu që intervenimet e tyre të jenë të koordinuara dhe të ofrojnë rezultate sa më të mira për sektorin.

Nga ana tjetër, eksperti i angazhuar për mbështetjen e koordinimit të zbatimit të Strategjisë, Rinor Hoxha, nga projekti i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, shpjegoi metodologjinë dhe ciklin e raportimeve për zbatimin e Strategjisë, që do të jenë 6 mujore dhe 1 vjeçare, dhe të cilat do të dërgohen për shqyrtim dhe miratim në Komitetin Drejtues të Strategjisë, me përbërje të udhëheqësve të institucioneve kryesore, në të ardhmen.

Gjatë punëtorisë sot, është diskutuar kryesisht për zbatimin e aktiviteteve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, gjithsej 89 aktivitete në të cilat Këshilli shërben si institucion udhëheqës, ndërsa në dy ditët e tjera të punëtorisë dhe javët në vijim do të diskutohet gjithashtu për zbatimin e aktiviteteve nga institucionet tjera: Ministria e Drejtësisë, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Akademia e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, Agjencia Kundër Korrupsionit, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, Oda e Avokatëve të Kosovës dhe institucione tjera të sektorit të sundimit të ligjit”.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme