Gashi: Ndryshimi i Ligjit për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë i domosdoshëm

Prishtinë | 18 Pri 2019 | 11:04 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka marrë pjesë në prezantimin dhe diskutimin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë.

Gashi tha se duhet të fokusohen te mekanizmat që fusim programet për të rinjtë dhe krijojnë lehtësira për përfshirjen e tyre në sferat e jetës, raporton Ekonomia Online.

Ndërkaq, ai theksoi se ka qenë koha që të ndryshohet dhe plotësohet ky ligj, duke shtuar se sfida kanë hasur tek përcaktimi i moshës si rini.

“Besoj se tani po kalojmë në një proces më të rëndësishëm siç është ndryshim plotësimi i ligjit. Ka kaluar më shumë se një dekadë që kemi një ligj për rini i cili kërkon medoemos ndryshime dhe plotësime sepse jemi në rrethana tjera duke jetuar. Kërkesa dhe nevoja krejtësisht të reja të rinisë në Kosovë. Ligj që e ka fuqizuar rininë dhe ka ndikuar në shumë procese tek të rinjtë. Besoj se ka ardhur koha për një ligj të ri që u përshtatet nevojave të të rinjve”.

“Në momentin kur kemi vendosë me ndryshuar këtë ligj i kemi të qarta objektivat dhe që ta kemi ligjin e ri. E dini që bashkërisht kemi projekte të tjera brenda ministrisë. Probleme të theksuara kemi pas te përcaktimi i moshës rinore. Të rinjtë pas moshës 24-25 dhe çfarë janë ata pas moshës 25. Besoj se ky ligj i ri do ta definojë këtë dhe mosha do rritet sepse pjesa më e madhe e qytetarëve të Kosovës i takojnë kësaj moshe pra 18 deri në 29-30 vjeç. Kemi pas disa mekanizma si këshillat lokal për komuna dhe organizatat rinore”.

“Ndoshta është mirë që me këtë ligj të përcaktohen qartë mekanizmat për rininë. Është menduar të jetë një mekanizëm rinor. Mendoj që këshillat e veprimit rinor lokal e kanë humbë rrugën, nuk e kanë kryer atë misionin e vet për çka janë themeluar. Për një kohë ato janë regjistruar si OJQ dhe nuk e kanë luajtur rolin këshillë dhënës. Mendoj se tani roli i këshillit do të qartësohet me ligjin e ri. Tjetër është edhe fuqizimi i qendrave rinore. Është mirë të merren modele te pjesa e kulturës dhe pjesa e sportit se si funksionojnë institucionet e kulturës ose si funksionon sporti të cilat nuk janë në varësi të ministrisë”.

Gashi tha se në fokus do jetë edhe puna vullnetare e cila do njihet si përvojë pune.

“Ajo që ka me qenë fokus është përvoja vullnetare. Çdo i ri që bën punë vullnetare do ti zihet si punë vullnetare. Besoj që përmes kësaj platforme do përcaktohet përvoja e punës vullnetare. Tri fusha që janë marrë parasysh në plotësimin e ligjit ka qenë mosha, puna vullnetare dhe përcaktimi i mekanizmave të programeve rinore”.

Drejtori i Departamentit të Rinisë në MKRS, Feim Hoxha, tha se draft dokumenti me plotësime dhe ndryshime të ligjit ka marrë formën finale dhe do t’i dërgohet ministrit për aprovim.

“Ne jemi munduar që grupin punues të përfshijmë të gjithë akterët e mundshëm. Pasi jemi në vitin 2019 dhe ky ligj është aprovuar në 2009, ndryshimet që kanë ndodhë deri më tani na kanë shty të mendojmë për iniciativën për ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji. Ky koncept dokument i ka hapë rrugë fillimit të plotësimit dhe ndryshimit të këtij ligji”.

Arianit Jashari përfaqësues i Bordit në Organizatën Ryco, theksoi rëndësinë që të rinjtë të jenë të përfshirë në draftimin e këtij ligji.

“Ne edhe vitin e kaluar ditën e rinisë kemi marrë një zotim prej MKRS që zëri i të rinjve të jetë çdo herë i përfshirë. Po besoj se edhe në grupet punuese që të ftohen edhe përfaqësues të rinisë, organizatave rinore dhe të dëgjohet edhe zëri i tyre”.

“Është e rëndësishme që zëri i tyre të jenë të përfshirë në draftimin e këtij ligji. Po e shoh që vullnetarizmit po i jepet një theks i veçantë që është shumë e rëndësishme sepse mundet me rritë aktivizimin qytetar dhe rinor.  Besoj se ky ligj me të vërtetë do jetë vullnet dhe përfaqim i të drejtave të rinisë”.

Të ngjashme