Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi ka ngushëlluar familjen e kantautorit të njohur Irfan Blakçorit, përmes një telegrami ngushëllimi.
Gashi tha se Irfani u nda nga kjo jetë për të lënë pas vetes vepra të shumta dhe me vlerë dhe se krijimtaria dhe produktiviteti i punës së tij do të mbeten të paharruara për të gjithë.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë telegramin e Gashit:
E nderuara familja Blakçori,
Lajmin për vdekjen e më të dashurit tuaj, njëkohësisht kantautorit të mirënjohur shqiptar, e morëm me pikëllim të madh.
Irfani u nda nga kjo jetë për të lënë pas vetes vepra të shumta dhe me vlerë. Krijimtaria dhe produktiviteti i punës së tij do të mbeten të paharruara për të gjithë ne. Realizimet e tij kanë begatuar thesarin e muzikës së lehtë shqipe.
Me kontributin dhe punën e tij ai ka fituar respektin e të gjithëve që e kanë njohur, sidomos atyre në botën e muzikës. Padyshim mbetet një nga artistët më prodhimtarë, i cili ka bërë publikun për vete me zërin e tij unik si dhe tekstet e bukura që shkruante.
Ne e kujtojmë me respekt angazhimin e tij të çmuar që ka dhënë në fushën e muzikës së lehtë shqipe.
Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Irfan Blakçorit.