Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka nisur sot ciklin e parë të debateve në kumunën e Shtimes për të diskutuar me rininë shtimjane për dokumentet dhe projektet, të cilat janë duke u realizuar në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Një debat i tillë është organizuar sot nga MKRS-ja së bashku me Shoqatën Ndërkombëtare për Zhvillim të Lidershipit, të udhëhequr nga drejtori i saj ekzekutiv, Qëndrim Gashi dhe Qendra Rinore në Shtime, e udhëhequr nga koordinatori, Resul Gashi.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tregoi se kanë filluar takimet me rininë për t’i diskutuar një pjesë të madhe të dokumenteve dhe projekteve, të cilat po i realizojmë në tërë territorin e Kosovës.
Ai tha se me theks të veçantë është në Shtime për të diskutuar për Ligjin për Rininë, për të cilin tregoi se kanë filluar ta ndryshojnë. Po ashtu, ministri Gashi tha se Strategjia për Rininë tashmë është përfunduar dhe ka filluar të jetësohet.
Ai në vazhdim të rinjve ju tha: “Në komunën e Shtimes kemi kryer disa punë të rëndësishme së bashku me kryetarin Naim Ismajli, të cilin e falënderoi për një përkushtim të madh që ka pasur sidomos te pjesa e aktiviteteve rinore dhe objekteve, të cilat u duhen të rinjve. Për një kohë të shkurt, bashkërisht e kemi përfunduar Palestrën Sportive, e cila ka qenë një kohë të gjatë e papërfunduar si rezultat i neglizhencës më të madhe nga ana e ministrisë në të kaluarën dhe po ashtu sot e kemi në dispozicion edhe Stadiumin e Qytetit, i cili mund të shfrytëzohet nga klubet sportive.
Natyrisht, bashkë me kryetarin, brenda pak ditëve do të nënshkruajmë disa marrëveshje, të cilat po ashtu janë të rëndësishme për aktivitete rinore siç është ndërtimi i Qendrës së re Rinore në Shtime. Po ashtu, pjesë e këtij objekti do të jetë edhe Biblioteka e Qytetit, e cila do të jetë në shërbim të gjithë qytetarëve, në veçanti për nxënës dhe studentë. Gjithashtu edhe Arkivi do të jetë pjesë e këtij objekti dhe Qendra Inovative. Pra, katër institucione brenda një objekti shumë të rëndësishëm për të rinjtë dhe qytetarët e komunës së Shtimes”, tha në mes tjerash ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.
Debatin në fjalë, në Sallën e Asamblesë Komunale e përshëndeti kryetari i Komunës, Naim Ismajli, i cili tha se MKRS-ja së bashku me Komunën e Shtimes e kanë prioritet rininë dhe për këtë ne do t’i japim mbështetje të fuqishme projekteve dhe dokumenteve që kontribuojnë në zhvillimin e gjithëmbarshëm të rinisë.