Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka inspektuar punimet në Palestrën e Sportit në Rahovec, raporton Ekonomia Online.
Gashi atje u prit nga kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.
Ministri Gashi tha se projekti për Palestrën e Sportit ka kushtuar rreth 3 milionë euro.
“Ka qenë përkushtim i përbashkët për ta përfunduar këtë projekt. Puna më e madhe është bërë në këto 3 muaj. Jemi darkorduar me kryetarin që palestrën ta kemi gati për ndeshjen. Është investim i madh rreth 3 milionë euro, është palestër që zë brenda vetës 2200 ulëse statike me mundësi me pasë ulëse teleskopike. Rahoveci edhe pse Komunë e vogël ka shumë talentë. Është palestra e dytë gjatë këtij viti.
I pyetur se a do të inspektohet edhe nga FIBA, ministri Gashi tha se kjo palestër i plotëson të gjitha kriteret edhe nëse do të inspektohet nga FIBA.
“Jam shumë i bindur se nga inspektimi që do të ndodhë nga FIBA, tashmë nuk i mungon asnjë element që neve na bënë mëdyshje se a i plotëson kriteret”, u shpreh Gashi.
Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, tha se palestra do të jetë e gatshme për lojën që do të filloj më 27 shkurt.
“Edhe pse ka zgjatë për vite të tëra, falë përkushtimit të Ministrit të Kulturës dhe stafit të tij, falë edhe këmbënguljes së komunës së Rahovecit tashmë kjo pjesë ku jemi këtu është gati plotësisht për të filluar kupën e Kosovës që pritet të filloj më 27 shkurt dhe zgjasë deri më 2mars të këtij viti”, tha ai, raporton EO.
Latifi tha se kjo palestër është e gatshme edhe për klubet tjera.
“Shpresojmë që ky projekt jo vetëm klubit të basketbollit të Rahovecit që do të zhvilloj ndeshje bashkë me klube të tjera po sigurisht kjo palestër do të jetë e përshtatshme edhe për klube që mund ta shfrytëzojnë këtë palestër”, tha Latifi.