Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) ka organizuar konferencën “Të drejtat pronësore intelektuale” në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Pronësisë Intelektuale.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, tha se Kosova ka bërë hapa modernë në mbrojtjen e të drejtave të autorit kjo shënohet edhe në Raportin e Komisionin Evropian, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast, ai bëri të ditur se së shpejti do të miratohet Strategjia e re Kundër Piraterisë.
“Ne duhet ta shohim këtë si avancim që ta nxisim zhvillimin ekonomik të vendit. Ne jemi duke punuar në Ligjin për të Drejtat e Autorit. Ne duhet të inkurajojmë dhe t’i nxisim krijuesit për punën dhe investimin e tyre. Kosova ka bërë hapa modernë në të drejtat e autorit dhe kjo shënohet edhe në Raportin e Komisionit Evropian”.
“Së shpejti do të miratohet Strategjia e re Kundër Piraterisë. Zbatimi i ligjit sjell kompensim të drejt për krijuesit dhe është imperativ i kohës dhe drejtim i duhur drejt së ardhmes”, tha Gashi.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bajram Hasani, tha se pronësia intelektuale ka një rëndësi të veçantë për ekonominë dhe bizneset në Kosovë.
“Po fillojmë këtë takim me moton ‘Forca e ndryshimit grat në inovacion dhe kreativitet’ në ditën ndërkombëtarë të pronësisë intelektuale. Pronësia intelektuale ka një rëndësi të veçantë për ekonomitë dhe bizneset”.
“Ne jemi të fokusuar në ngritjen e sistemit të pronës intelektuale dhe në ngritjen dhe fuqizimin e mëtejshëm të infrastrukturës institucionale në ndalim të dukurive negative. Ne duam të kemi një ekonomi te tregut të avancuar”.
Sipas tij, agjencia e pronës intelektuale ka printuar 9900 dokumente, raporton EO.
“MTI përmes agjencionit për pronë intelektuale është në bashkëpunim me agjencionin për pronësi intelektuale. Agjencia e pronës intelektuale ka printuar 9900 dokumente. Sot numri i përgjithshëm i markës tregtare është mbi 26 000”, tha ai.
Bahri Berisha, drejtor i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, tha se Dogana ka një rol të rëndësishëm në fushën e të hyrave, por baraz me to edhe luftimi i piraterisë.
“Pronësia intelektuale ka zënë një vend të veçantë në te gjitha vendet në botë. Zbatimi i të drejtës se pronësisë intelektuale kontribuon edhe në tërheqjen e investimeve të huaja. Mbrojtja dhe respektimi i pronësisë intelektuale është e lidhur edhe me të drejtat e njeriut”.
“Në vitin 2010 kemi pasur një ligj për të drejtat intelektuale në dogane kurse tash jemi pranë një ligji të ri. Gjithashtu me nënshkrimin e marrëveshjes se stabilizim asociimit kërkohet avancimi i të drejtës intelektuale. Ne kemi operacione në luftimin e piraterisë”.