Gashi për arrestimin e parë nga Specialja: E vështirë të besoj se Cali ka bërë shkelje gjatë luftës

Prishtinë | 24 Sht 2020 | 15:49 | Nga Ekonomia Online

Ish-këshilltari i Kurtit, Shkëlzen Gashi, i cili u lirua nga detyra e tij për shkak të disa deklaratave të bëra për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërlidhjes me disa krime gjatë luftës, sot ka reaguar për arrestimin e Sali Mustafës nga Gjykata Speciale.

Gashi ka treguar se me Sali Mustafën kanë qenë fqinjë dhe se ishte tronditur kur ky i fundit në vitet e 90-ta ishte arrestuar nga regjimi i Serbisë.

Tutje në këtë shkrim, Gashi ka treguar se Sali Mustafa i njohur edhe si ‘Cali’,  ka udhëhequr në Prishtinë grupin e Ilir Konushevcit, Agron Rrahmanit e Bahri, Agron e Ilir Fazliut.

“Salih Mustafa – Cali. Fqiu im i parë. Si fëmijë i viteve ’90 më impresiononte fort aktiviteti i tij në radhët e organizatës më të jashtëzakonshme ilegale të shqiptarëve të Kosovës – Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK). U pata tronditë fort nga arrestimi i tij në mes të viteve ’90 nga regjimi okupues sërb dhe nga dënimi i tij me burg. Gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999 mburresha që fqiu im i parë e udhëhiqte guerilen e kryeqytetit – BIA (Bahri-Ilir-Agron – Bahri Fazliu, Ilir Konushevci dhe Agron Rrahmani)”, ka shkruar Gashi.

Ish-këshilltari i Kurtit thotë se e ka të vështirë të besojë se Cali ka bërë shkelje gjatë luftës, duke qenë se  gjatë viteve të 90-ta, LKÇK kishte botuar gazetën ‘Çlirimi’ në të cilën dënoheshin sulmet ndaj civilëve të pafajshëm të minoriteteve në Kosovë.

“E kam shumë të vështirë të besoj se Cali ka qenë i përfshirë në shkelje të rregullave të së drejtës humanitare ndërkombëtare, mes tjerash sepse LKÇK-ja gjatë viteve ’90 e nxirrte çdo muaj gazetën ‘Çlirimi’, në të cilën i dënonte ashpër sulmet ndaj civilëve të pafajshëm të minoriteteve etnike në Kosovë”, ka vazhduar tutje.

Në fund, Gashi thotë se tashmë nuk ka rëndësi se në çfarë beson dhe se Salih Mustafa duhet të dëshmojë pafajësinë e tij vetë.

“Por, besimi im nuk ka kurrfarë rëndësie. Cali duhet ta dëshmoj vetë pafajsinë e tij”, ka përfunduar Shkëlzen Gashi.

Të ngjashme