Ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi ka reaguar pas raportimeve se ai është i implikuar në lobimin lidhur me idenë e shkëmbimit të territoreve me shtetin serb, raporton Gazeta Express.
Përmes Twitterit, Gashi ka shkruar se një gjë e tillë nuk është e vërtetë, duke thënë se është fatkeqësi që betejat personale dhe ato të brendshme politike sakrifikojnë të vërtetën që do të duhej të raportonin mediat.
“Është fatkeqësi që betejat personale dhe beteja e brendshme politike e sakrifikojnë të vërtetën të cilën do të duhej ta raportonin mediat”, ka thënë ai, duke shtuar se autorja e raportit, Jeta Xharra edhe herë të tjera ka tentuar ta implikojë në ngjarje të paqena.
“Gazetarja në fjalë nuk është hera e parë që tenton të më implikojë në ngjarje të paqena”, ka shkruar Gashi.
Është fatkeqësi që betejat personale dhe beteja e brendshme politike e sakrifikojnë të vërtetën të cilën do të duhej ta raportonin mediat. Gazetarja në fjalë nuk është hera e parë që tenton të më implikojë në ngjarje të paqena.
BIRN ka raportuar sot se kanë zbuluar dëshmi të reja lidhur me lobimin e institucioneve të Kosovës për idenë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë.
Në këtë shkrim thuhet se ambasadori Gashi personalisht ka avokuar për shkëmbim territoresh përderisa shkruhet se një akademik amerikan ka zbuluar se si Hashim Thaçi i ka kërkuar atij që të përgatisë një punim në mbrojtje të këtij plani.
Ish – Ministrja e Integrimeve nga radhët e PDK’së Dhurata Hoxha e cila po ashtu është subjekt i këtyre shkrimeve ka paralajmëruar padi ndaj gazetares Jeta Xharra.