Gashi: Policia ka vepruar sipas përgjegjësive të veta në deportimin e shtetasve turq

Prishtinë | 04 Maj 2018 | 12:58 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka raportuar para komisionit parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Deputeti Xhelal Sveçla nga Lëvizja Vetëvendosje, e ka pyetur ministrin se a kanë listë të pozitave që kanë nevojë të kalojnë verifikimin e AKI-së në qasjen në dokumente sensitive. Derisa ka thënë se ka pasur shkelje në rastin e deportimit të shtetasve turq nga Kosova, raporton Ekonomia Online.

“A keni listë të pozitave që kanë nevojë me kalu verifkimin e AKI-së në qasjen në dokumente sensitive. Jam i dëshpëruar me deklarimin që s’ka pasur shkelje ligjore në deportimin e 6 shtetasve turq sepse prej helikopterit shihet që ka pasur shkelje”

Duke iu përgjigjur Sveçlës, Gashi ka thënë se në rastin e deportimit të 6 shtetasve turq, Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me përgjegjësitë që ka pasur. Ministri ka shtuar se pas gjetjeve të komisionit hetimor parlamentar i cili së shpejti pritet të formohet pasi ka mbetur vetëm votimi në Kuvend, do të dalin me një vlerësim rreth këtij rasti.

“Për listën, nga të gjitha agjencionet edhe listën do ta keni. Nevojitet të ketë edhe certifikta të sigurisë, për shkak të sensivitetit në punën që e kryjnë. Jemi në proces, është formuar edhe një komision nga parlamenti, në bazë të raporteve të agjencioneve, ata kanë vepruar konform përgjegjësive ligjore që kanë. Ligjërisht, sipas raporteve pjesa e policisë ka vepruar në raport me përgjegjësitë që ka pasur. Gjetjet që do të vijnë nga komisioni do të përballen me gjetjet e agjencioneve dhe do të dalim me një vlerësim, është lënduar imazhi i Kosovës me këtë rast”.

Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, duke iu drejtuar Gashit ka folur për aksidentin e policëve, ku ka thënë se ekipet e kanë përfunduar punën në ora 3 të natës ndërsa e kanë vazhduar atë në orën 11. Nitaj e ka pyetur ministrin se kush ka dhënë urdhër që kërkimet  të mos fillojnë në orën 5 të mëngjesit por kanë pritur deri në orën 11, raporton EO.

Nitaj tha se janë përhapur llafe se në polici ka njerëz të ndikuar nga grupe të interesit, të paprekshëm dhe njerëz “kapo”.

“Kemi informacione për zhvillime jo të këndshme në polici.  E dini që janë përhapur llafe që në polici ka njerëz të ndikuar nga grupe te interesit, të paprekshëm dhe njerëz kapo. Po ju ngushëlloj me rastin tragjik të dy policëve. Nga informtat qe kam marrë në ditën kur janë zhdukur policët, ekipet kanë filluar punën dhe kanë përfunduar në orën 3 të natës dhe kanë filluar në ora 11, kush ka dhënë urdhër që të mos fillojnë kërkimet në ora 5 të mengjesit por në ora 11 me kaq komoditet”.

Ministri Gashi duke iu përgjigjur Nitajt ka thënë se operacioni pas aksidentit të dy policëve nuk është ndërprerë, por sipas tij mediet kanë dhënë informacione frustruese nga terreni duke krijuar huti në.

Ai ka deklaruar se reagimi ka qenë profesional dhe se pas perfundimit të operacionit do të kërkojë nga përgjegjësit një raport për veprimet e ndërmarra me këtë rast.

“Se ka njerëz të fuqishëm… Reagimi primar ka qenë në raport me standaret që kërkohen. Operacioni nuk është ndërprerë, problem po e kemi me i menaxhu mediet nga tereni. Informacionet nga tereni kanë qenë të natyrës frustruese dhe kanë bërë huti. Shumë pak janë dhënë informacione profesionale. Reagimi ka qenë profesional. Në terren kam dal në ora 9 e 15, ekipet kanë qenë atje. Informacionet që janë dhënë kanë qenë informacione që s’kanë mujt me kriju opinion real të reagimit në teren. Pas përfundimit të operacionit do të kërkojë nga përgjegjësit një raport të cilin do të ua dorëzojë edhe juve.”

Zoran Mojsilović nga Lista Serbe, ka kërkuar që inspektoriati policor të inicojë hetimet lidhur me arrestimin e Marko Gjuriqit në veri të Mitrovicës, pasi siç tha, në atë aksion janë rrahur ministra dhe deputetë serbë të Kosovës.

Ai ka thënë se në sektorin e sigurisë kanë ndodhur gjëra për të cilat ish-drejtori i policisë, Shpend Maxhuni nuk ka dhenë përgjegjësi.

“Jam njoftuar sot se ka ardhur deri te ndryshimet ne nivelin e drejtorit të policisë. Ish-drejtori ka qenë përgjegjës per shumë çështje që kanë ndodhur në polici. Kanë ndodhur gjera në sektorin e sigurisë edhe ai asnjëherë s’ka qenë përgjegjës. Lista Serbe ka një kërkesë për inspektoratin policor që të inicojë hetimet lidhur me rastin e arrestimit të Marko Gjuriqit sepse janë rrahur minitrat, deputetët”.

Ministri Gashi ka thënë se inspektorati policor është në proces të trajtimit të rastit të arrestimit të Gjuriqit.

“Sa i përket Marko Gjuriqit inspektorati është në proces. Aktualisht nuk kam mundësi të jap informacione në detaje, informacionet kur t’i mrrim mund të japim vlerësime”.

Të ngjashme