Në ekspozitën “Prishtina: Qytet i Nderit dhe Mirënjohjes”, organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Muzeu i Kosovës dhe Ambasada e ShBA-së në Kosovë, ministri Gashi ka përgëzuar artistët për punën e bërë dhe ka thënë se ministria të cilën ai e drejton do ta vazhdojë përkrahjen për veprat e ekspozuara në mënyrë që ato të promovohen edhe në vende të tjera, raporton Ekonomia Online.
“Gjatë kësaj periudhe, nga menaxhmenti i Muzeut jemi informuar në mënyrë konstante për zhvillimin e mëtejmë të projektit dhe të ecurisë së punëve. Në cilësinë e ministrit të Kulturës, dua t’ju përgëzoj të gjithëve që jeni angazhuar në projekt, dhe sot të gjithë ne kemi arsye të ndihemi mirë për faktin se, deri në këtë fazë, ia keni dalë t’i realizoni me sukses përkushtimet dhe detyrat tuaja”.
“Ne në kuadër të përgjegjësive tona do të vazhdojmë të mbështesim menaxhmentin e Muzeut të Kosovës, në mënyrë që vepra monumentale, por edhe dokumentet e artit që janë krijuar në fazën e dytë, të promovohen dhe të rrugëtojnë nëpër vendet e tjera, si pjesë e përkushtimit për të treguar storjen e Prishtinës dhe të Kosovës, përmes këtyre veprave të jashtëzakonshme që janë punuar”.
Arsye për këtë mbështetje ministri Gashi e numëroi edhe përkushtimin e Kosovës për ndërtimin e paqes, tolerancës dhe mirëkuptimit që e përçojnë veprat e ekspozuara, raporton EO.
“Kemi shumë arsye për ta bërë këtë. Së pari se përkushtimet e shtetit dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndërtimin e vazhdueshëm të paqes, tolerancës dhe mirëkuptimit me përmbajtjen e qëllimeve dhe mesazheve të projektit të zhvilluar në të dy fazat, janë tërësisht në harmoni me njëra-tjetrën. Prandaj, kemi arsye të ndihemi mirë që institucionet tona të trashëgimisë kulturore, në këtë rast Muzeu i Kosovës, me ndihmën e programeve mbështetëse të aleatit tonë më të madh, ShBA-së, po arrijnë që jashtëzakonisht mirë t’i transmetojnë këto përkushtime për paqe, mirëkuptim dhe tolerancë”.
Sipas ministrit Gashi, veprat e artit ndonjëherë flasin më shumë sesa fjalët e politikës.
“Dua t’iu them studentëve të angazhuar dhe pjesëmarrës në çfarëdo cilësie në këtë projekt, se ata bashkë me mentoren e tyre znj. Ellen Frank dhe me Muzeun e Kosovës, përmes veprave të artit të realizuar në këtë projekt, kanë reflektuar vlerat kushtetuese të Republikës së Kosovës në mënyrë të shkëlqyeshme. Veprat e artit ndonjëherë flasin më shumë dhe më fort sesa fjalët e politikës”.
Gashi i siguroi studentët artistë se gjithmonë do ta kenë përkrahjen e Ministrisë së Kulturës.
“Edhe një herë ju përgëzoj dhe ju inkurajoj që të angazhoheni edhe më shumë në aktivitete të tilla, dhe ju siguroj të gjithëve, edhe Muzeut, edhe studentëve, por sidomos edhe partnerëve që na ndihmojnë në vazhdimësi se përkrahja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nuk do të mungojë. Ajo do të rritet dhe do jetë gjithmonë në shërbim të eliminimit të barrierave duke krijuar kushte për krijues dhe punonjës profesionalë të trashëgimisë kulturore, për të qenë më shpesh dëshmitarë të përfundimeve të suksesshme të projekteve, siç jemi sot”.
Ellen Frank, drejtoreshë artistike e Organizatës “Qytetet e Paqes” – eksperte këshilluese nga Programi i Fullbright Specialist, ka thënë se kjo nuk është punë personale, por e të gjithëve të pranishmëve që vizitojnë dhe shohin punën e tyre.
Ka falënderuar artistët e rinj të veprave të sotme dhe ka dekoruar ata.
“Kjo nuk është për mua, është për ju, dhe është bërë nga ju. Dua t’ju tregoj një histori të shkurtë, ekzistojnë histori të ndryshme dhe një nga ato që më pëlqen është ajo e dritës së artë. Drita e artë jeni ju. Është detyrë e neve, me qeverinë, ministritë, artistët, profesorët të kapin këto copëza të dritës dhe t’i bashkojnë”.