Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashi, ka vlerësuar se zgjedhjet e parakohshme mund të ndikojnë në ngadalësimin e proceseve integruese. Por, ai ka thënë se qeveria e re duhet ta përshpejtojë agjendën e integrimeve evropiane të Kosovës.
Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, Gashi ka deklaruar se institucionet e reja duhet të fokusohen në proceset euroatlantike, në dialogun me Serbinë si dhe në forcimin e shtetit ligjor duke e shtuar luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
“Shpresoj të kemi zgjedhje të lira, me pjesëmarrje të madhe të masës elektorale dhe që nga ky proces të dalin sa më parë (brenda afateve ligjore) një parlament dhe qeveri e përgjegjshme që të përqendrohet në proceset e rëndësishme shtetndërtuese, si në procesin e liberalizimit të vizave, të integrimit evropian dhe euroatlantik, në procesin e vazhdimit të dialogut dhe, mbi të gjitha, në agjendën e brendshme të zhvillimit ekonomik dhe forcimin e shtetit ligjor, duke e shtuar luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka theksuar se agjenda e dialogut do të riaktualizohet menjëherë pas zgjedhjeve edhe nëse në krye të qeverisë do të jenë ata që e kanë kundërshtuar dialogun duke përdorur mjete të paligjshme për ta penguar këtë proces.