Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporti, Kujtim Gashi, ka shkarkuar Komisionin Përzgjedhës për Drejtorin e Muzeut të Kosovës, Ajet Leci, pasi nuk është garantuar proces transparent dhe tërë procesin e deritashëm të përzgjedhjes e ka anuluar.
Vendimi është marrë në koordinim me kryetarin e partisë të cilës i takon Gashi, Kadri Veselin.
Ministri Gashi ka thënë se përderisa të tjerët vetëm flasin për korrupsionin, ata e bëjnë në praktikë këtë. “Në rastin konkret, për drejtorin e muzeut kemi vendosur që të gjitha procedurat t’i rikthejmë në pikën zero. Do të fillojmë nga e para dhe natyrisht komisioni ose këshilli që ka procedu me këtë mënyrë të përzgjedhjes së drejtorit do të shkarkohet dhe do të zgjedhim një komision të ri, një bord të ri i cili do ta garantojë edhe atë që kryetari i Kuvendit e ka nisur një luftë të rreptë kundër nepotizmit, korrupsionit e kundër çdo dukurie negative”.
“Ne kemi vendime dhe jo fjalë”, ka theksuar kreu i MKRS-së.
“Korrupsioni nuk luftohet me gaz lotsjellës dhe me molotov, por me veprime konkrete dhe ne këtë jemi duke e bërë çdo ditë edhe si ministër, por edhe si anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës”, ka shtuar Gashi.
Kreu i Kuvendit dhe i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se në vazhdimësi e ka theksuar se nuk do të lejojë korrupsion dhe nepotizmin nën udhëheqjen e tij.
“Gjatë ditës së djeshme unë jam informuar se dikush është emëruar në mënyrë jo të rregullt dhe duke shkelur procedurat ligjore. Kështu që, në bisedë edhe me ministrin e Kulturës, jam i lumtur ta them para jush këtu që edhe ministri është në dijeni të plotë dhe po merret me këtë rast. Korrupsioni dhe nepotizmi na dëmton neve në të gjitha fushat e jetës dhe ne, po ashtu, do ta luftojmë atë në të gjitha drejtimet, jo me fjalë, por me vepra konkrete”, ka thënë Veseli.
Ai ka theksuar se lufta kundër korrupsionit nuk përfundon në një ditë, por kërkon vendime të guximshme, sikurse vendimi i ministrit të Kulturës sot për ta shkarkuar komisionin dhe anuluar vendimin e përzgjedhjes.