Komisioni Hetimor për gjendjen në PTK dhe Vala, ka intervistuar drejtorin e bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashin, raporton Ekonomia Online.
Gashi para anëtarëve të komisionit, tha se Kosova aktualisht i ka 130 operatorë që kanë autorizim të përgjithshëm të dhënë nga ARKEP-i.
Gashi u shpreh se Telekomi ka dhënë në dispozicion 200 mijë numra për operatorët virtual.
Ai u shpreh se kompania Z-Mobile ka autorizim të përgjithshëm për shfrytëzimin e numeracionit.
“Në tregun e komunikimeve elektronike në Telekom mund të hyjë çdo operator dhe nuk ka asnjë barrierë për vendimmarrje për të dhënë autorizimin e përgjithshëm që dikur është quajtur licencë. Ka 130 operatorë në Kosovë që kanë autorizime të përgjithshme. Në vitin 2015 ka ndodhë një zgjerim i përdorimit të frekuencave për të cilën Telekomi ka paguar rreth 15 milionë për një brez. Autorizimin e përgjithshëm mund ta marrë kushdo brenda 5 ditëve Ministrinë e Tregtisë. Telekomi na ka borxh si operator neve si ARKEP, disa borxhe në vitin e kaluar dhe disa borxhe brenda këtij viti. 200 mijë numra janë nga numri i Telekomit për operatorët virtual. Z-Mobile ka autorizim të përgjithshëm për shfrytëzimin e numeracionit”, tha Gashi.
Gashi tha se ARKEP-i nuk ka informacion se Z-Mobile nuk ia paguan 27 përqindshin Telekomit.
“Nuk oshtë obligim që operatorët me pasë operatorë virtual. Për neve nuk është e rëndësishme se çka është një MBNO e caktuar, a është një rishitës apo është një MBNO Light. Ne nuk mund të përcaktojmë se çka përbënë një operator virtual. Ne i kemi pranuar raportet e Auditimit për operatorë të licencuar, nuk kemi pasë problem me asnjë operatorë. Nuk kemi informacion që Z-Mobile nuk ia paguan 27 përqindshin Telekomit”.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, tha se shifrat dhe dëshmitë që paraqiten para komisionit për gjendjen në PTK dhe Vala, janë mjaftë shqetësuese.
Sipas Zemajt edhe më shqetësues e bën fakti se si këto dëshmi dhe shifra nuk i kanë rënë në sy e as në vesh drejtësisë dhe Prokurorisë së Shtetit.
“Shifrat që paraqiten para komisionit dhe dëshmitë që paraqiten para këtij komisioni janë të tmerrshme dhe shqetësuese se si Prokurorisë së Shtetit dhe drejtësisë kjo nuk i ka ra as në vesh as në sy dhe nuk janë marrë me to. Juve si institucion ju ka taku që të trajtoni pak më shumë raportin e operatorëve me pjesën që ndërlidhet me shpenzimet e qytetarëve të vendit. Ka qenë një farë dyshimi që të mbërrijë një kontratë e tillë me shumë zbrazëtira ligjore, pyetja ime është se a jeni interesuar ju se si po zhvillohet apo si po ecë licenca e Z-Mobile prej që ti je në ARKEP, me të gjitha aty procedura ligjore”, pyeti Zemaj, raporton EO.
Gashi u përgjigj.
“Nuk është realiste të pritet që një kompani të gjenerojë hyra se si ka gjeneruar diku 5 vite përpara. Viti i fundit ka stabilitet dhe ka një lloj ngritje”, tha Gashi.
“Si e shihni faktin që Z-Mobile i blen minutat prej Telekomit me një çmim të caktuar dhe i shet me bonuse”, pyeti deputeti Zemaj.
“ARKEP nuk merret me çështje të fitimit”, u përgjigj Gashi.
Zemaj tha se nëse brenda një viti Z-Mobile i sjell fitim Telekomit 548 mijë euro me 27 për qind të kontratës, atëherë i bie që me 73 për qind të kontratës Z-Mobile fiton 1.4 milion euro.
“Brenda një viti zmobile i ma dhënë fitim 548 mijë euro me 27 për qind të kontratës, Telekomit, nëse 27 përqindshi ka fitu 548 mijë euro, pra Z-Mobile i bie me fitu 1.4 milion euro, si e arsyetoni këtë fakt”, pyeti Zemaj.
“Ne nuk e arsyetojmë hiç këtë fakt”, tha Gashi.
Gashi u pyet nga deputeti Haxhi Abdyli se nëse njëri nga operatorët dëshiron të shkëputë kontratën, si do e trajtonin ankesën e tyre si rregullatorë.
“Nëse Z-Mobile ankohet tek ne praktikisht çështja duhet të zgjidhet me operatorin amë qoftë për shkëputje ose për përmbyllje. Do të ishte ndërhyrje në punën e tyre nëse ne do ndërhynim në këtë çështje”, tha Abdyli.