Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) Kujtim Gashi vizitoi Pallatin e Rinisë, për të parë nga afër investimet që po bëhen në palestër.
Aty po vendosen ulëset e reja për të zgjeruar sallën në bazë të standardeve të FIBA-s ashtu që palestra të jetë gati për lojërat e Përfaqësueses së Kosovës në basketboll në kuadër të kualifikimeve për “Kina 2019″.
Ministri Gashi më këtë rast tha se po përmbushin një premtim që kanë dhënë në fillim të mananit, duke përmbushur kriteret e kërkuar nga FIBA, raporton Ekonomia Online.
“Jemi në vizitë në palestër për vendosjen e karrigeve shtesë për plotësimin e kritereve të ardhura nga FIBA. Jam i lumtur që sot po e plotësojmë një premtim që e kemi dhënë në ditët e para që kemi filluar mandatin. Po i kryejmë kriteret që na i ka dhënë FIBA për të marrë pjesë në lojëra ndërkombëtare. Jemi të lumtur që Kosova ka arritur të marrë pjesë në ato lojëra dhe në afat optimal po kryen vendosjen e karrigeve dhe që klubi Prishtina do zhvillojë shumë ndeshje këtu”.
Gashi premtoi se vitin e ardhshëm do të filloj ndërtimi i stadiumit kombëtar të Prishtinës dhe në tri vitet e ardhshme do të ndërtohet edhe palestra e re e sporteve pasi të definohet statusi ligjor i Pallatit të Rinisë.
“Dhe në momentin kur definojmë problemin e kontekstit ligjor të pallatit të rinisë do të koordinomi me federatën dhe klubin që për vitet e ardhme do planifikojmë ta ndërtojmë një pallat të ri sportiv ku do përfshihet palestra e sporteve. Të gjitha projektet e rëndësishme sportive do të fillojnë të investohen në vitin 2018 si stadiumi i ri kombëtar, palestra e re edhe projektet që janë të rëndësishme për sportin kosovar në tri vitet e ardhshme”.
Blerand Stavileci, kryetar i Sigal Prishtinës, tha se me projektin e fundit që e ka bërë ministria është plotësuar edhe një kusht i imponuar nga FIBA që salla t’i ketë 3000 ulëse.
“Ju e dini që në këtë sallë qe sa e sa vite klubi jonë dhe klubet tjera por klubi jonë e ka pas më të vështirë për shkak se është përballë me arenën ndërkombëtare, kemi qenë të kushtëzuar për shumë elemente brenda kësaj infrastukrure, gjithnjë e improvizuar por prapë se prapë ia kemi dalë disi që të na mundësohet t’i zhvillojmë ndeshjet tona”.
“Me projektin e fundit që e ka bërë ministria është plotësuar edhe një kusht extra i cili nuk ka vlejtur vetëm për klubin tonë por edhe për federatën e basketbollit, e imponuar nga FIBA që salla ti ketë 3000 ulëse dhe një gjë e tillë është arritur këtu tek tribuna pjesa e teleskopikës e vendosur lartë. Siç jemi të informuar nga Federata e Basketbollit të Kosovës nga FIBA do të vijnë inspektues për të parë e gjithë punën që është bërë këtu”.
Ai ka kërkuar që edhe ndriçimi të rregullohet, kompetencë kjo e komunës.
“Ndriçimi nuk është në kompetencë e Ministrisë por edhe Komunës, ku komuna duhet të bënte punë por edhe të vinte edhe të shihte për së afërmi t’i identifikonte problemet, të propozonte dhe të kryente zgjidhjet”.